Në deponinë “Drislla”, njëra ndër deponitë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut, hudhen mbeturina edhe prej vendeve të tjera. Mbase tingëllon e tmerrshme, por banorët thonë se shpesh herë shohin gjymtyrë njerëzore, të cilat amputohen nëpër spitale dhe hidhen këtu, si dhe fetuse fëmijësh, të cilat bëhen ushqim për qentë endacakë ose kalben në ambient të hapur, prandaj ata shprehen se kundërmon erë e keqe dhe frymëzënëse.

“Ka mbeturina, pra mbetje medicinale të operacionve. Ato pjesë i hedhin këtu. Shokët e mi i kanë parë, qentë i zvarrisin dhe i nxjerrin në rrugë organet e trupit që i sjellin prej spitaleve. Besoj që keni dëgjuar edhe shumë sëmundje janë përhapur, ja p.sh. unë kam problem me mushkëritë. Duhet të dal në ajër të pastër, por s’kam ku të shkoj, këtu e kam shtëpinë.”, – u shpreh muezini i Xhamisë së fshatit Batincë.

“Deponia “Drislla” sjell dëm të madh për të tërë mjedisin jetësor. Për shkak të kësaj është shumë i ndotur lumi Markovë, ka një ndotje të lartë të ajrit dhe kjo shihet me sy të lirë, kundërmon erë e keqe. Deponia ndotë tokën dhe ujërat nëntokësor. Kemi shumë njerëz të sëmurë nga kanceri dhe mushkëritë e bardha.”, – than banori i fshatit Batincë, Senih Brahoviq.

Sipas raportit të të dy klinikave që ndodhen në fshatin Batincë, 68% e popullsisë vuajnë nga mushkëritë e bardha dhe një pjesë e tyre nga kanceri. Sipas këtyre raporteve, sëmundjet vijnë si rezultat i ndotjes enorme të ajrit. Pavarësisht dëmit që shkakton, kjo deponi nuk paguan dëmshpërblim, pasi sipas ligjit, duhet të investojë në fshat mjete për ndërtimin infrastrukturor.

“Kryetari i xhamisë e ka kerkuar një bager për ta rrafshuar një vend, pasi rinia e fshatit dëshiron ta bëjë një park. Shkuam e kërkuam e na thane se shkoni këtu, shkoni atje dhe na nxorri prej zyre. Një buxhet vjetor duhet të ndahet për këto fshatra që u bëhet dëm, për kanalizim, për rrugë, për gjelbërim, mbjelljen e drunjëve. Ai buxhet nuk vjen në vendin tonë. Ku përfundon nuk e dime!”, – u shpreh banori i fshatit Batincë, Mahir Maksuti.

Orhan Asani thotë se ngjitur me deponinë ka 20 mijë metër katror tokë, të cilën nuk mund ta shfrytëzojë për të mbjella, për shkak të kontaminimit të tokës, si dhe fekaleve të deponisë, të cilat rrjedhin nëpër rrugën e cila të dërgon deri te prona e tij private. Rinia e fshatit ka kërkesa të qarta për deponinë.

“Kërkesa jonë është një dhe e vetme: Duam deponi me standarde ekologjike dhe evropiane, e cila është e garantuar me ligj që të kemi një ambient të pastër, sepse kjo deponi, gati që 20 vite ekziston dhe nuk plotëson asnjë kriterium ekologjik. Fati që na brengos është se mbeturinat medicinale groposen në tokë dhe kjo është një tjetër katastrofë ekologjike, pjesën tjetër e djegin nëpërmjet furrës, e cila nuk ka filtra adekuat, që e njëjta të mos e ndotë ambientin jetësorë.”, – theksoi kryetari i Shoqatës “Rinia e Batincës”, Avni Xhemaili.

Rinia e Komunës së Studeniçanit, paralajmërojnë se më 15 shtator do të mbajnë protesta masive dhe do të bllokojnë hyrjen e deponisë për maunat që transportojnë mbeturinat nga vendet tjera në këtë deponi. Ata do ta vazhdojnë protestën deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.