Me thirrje dhe brohorima “Duam ajër të pastër”, banorët e Komunës se Studeniçanit nën organizim të shoqatës “Rinia e Batincës” mbajtën protesta masive kundër ekocitit që shkakton deponia “Drislla” në fshatin Batincë, por edhe në të gjithë rajonin e Karshiakës.

Ata kërkojnë që kjo deponi të funksionojë me standarde evropiane dhe të mos e dëmtojë mjedisin jetësor.

“Për një kohë të gjatë hidhen pjesë të trupit, këmbë dhe duar të amputuara. Vetë gazetarët mund ta vërtetojnë se çfarë ere kundërmon këtu. Njerëzit që vijnë nga vendet e tjera nuk mund të qëndrojnë këtu as një orë, paramendoni si është për ne, të thithim për 29-30 vite këtë ajër të ndotur, të thithim këto kimikale dhe të shkatërrojmë mushkëritë tona. Kërkesa jonë e vetme është “Duam ajër të pastër.”. Kërkojmë që deponia “Drislla” t’u përmbahet ligjeve.”, – u shpreh banori i fshatit Batincë, Senih Brahoviç.

“Nëse ecni rreth kësaj deponie, keni me për të parë qenë të ngordhur, lloj-lloj mbeturinash. Të gjitha operacionet që kryhen nëpër spitalet e Maqedonisë, hidhen këtu. Ato janë të gjitha sëmundje që shkojnë te njeriu.”, – u shpreh një banor.

Jasir Islami, mësimdhënës në shkollën e fshatit Batincë, tregon se, më tepër se gjysma e fëmijëve në klasë mungojnë, për shkak se sëmuren shpesh.

“Këto janë nxënësit e mi. Nuk është normale që në sezonin e gripave të mungojnë 13 ose 14 nxënës, e gjithë kjo është si rezultat i ajrit të ndotur.”, – theksoi mësimdhënësi në fshatin Batincë, Jasir Islami.

Portalet në rrjetet sociale publikuan pamje të fetuseve të derdhura në deponinë “Drislla”, por nga N.P. “Drislla” kanë dalë me komunikatë dhe pretendojnë se këto fotografi janë të rreme dhe ndaj personave që i kanë publikuar, kanë ngritur padi penale. Ish-punonjësi i “Drisllas”, thonë se janë dëshmitarë i të padrejtësive që janë bërë aty.

“Unë jam ish-punëtor i Ndërmarrjes Publike të Komunës së Studeniçanit. 10 vite kam punuar në këtë ndërmarrje, 10 vite kam parë se çfarë mbeturinash hidhen dhe çfarë padrejtësie e madhe i bëhet kësaj popullate, jo vetëm Batincës, por të gjithë Karshiakës.”, – u shpreh ish-punonjësi në N.P. “Drislla”, Riza Mehmedi.

Banorët nuk kanë më durim, ata kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të problemit.

“Kjo ishte mjaft! Deri këtu kemi ardhur me protestë të qetë, por pastaj do të marrim masa rigoroze. Do ta bllokojmë rrugën në hyrje të fshatit. Kur të bëhen kolonat ose kur t’i grumbullohen mbeturinat kryetares së Qendrës, atëherë do ta shohin se si jetojmë ne këtu.”, – tha banori, Adem Jusufi.

“Ky popull nuk mund të presë më, shumë sëmundje janë përhapur, sidomos në mushkëritë e bardha. Banorët këtu janë mbledhur vetëm me një qëllim, të kërkojnë nga autoritetet, të frymojmë normalisht dhe të thithim ajër të pastër.”, – u shpreh banori, Kadrija Muriç.

Nga TVM2, kemi thirrur në telefon dhe i kemi dërguar mesazhe vazhdimisht drejtorit të N.P. “Drisllës”, Aleksandër Kuzinakov, por i njëjti nuk iu përgjigj telefonatave dhe as mesazheve tona./TVM2

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume