Escobar para takimit të 14 shtatorit: S’kam marrë zotim nga Kurti për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë zotim nga kryeminstri, Albin Kurti, për zbatimin e marrëveshjes bazike Kosovë-Serbi.
“Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit (të marrëveshjes). Dhe sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë. Ai, në thelb, u zotua të shkonte në Bruksel dhe të ishte i pranishëm në takime, por asgjë përtej kësaj’, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës, transmeton Klankosova.tv.
I pyetur se cilat do të jenë pasojat nëse palët në dialog nuk i përmbahen zotimeve, Escobar theksoi se tashmë po fillojmë t’I shohim pasojat.
“Tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat. Megjithëse Kosova i quan sanksione, ato nuk janë vërtet sanksione – masat që BE-ja ka vendosur, për të mos vazhduar me disa nga mekanizmat e anëtarësimit, janë mjaft serioze. Edhe për Serbinë, do të jetë po kështu”.
“ Por, për Kosovën – mundësitë për njohje të reja, për konferencë donatorësh, për dialog strategjik dypalësh me Shtetet e Bashkuara dhe për një marrëdhënie të afërt me NATO-n. Fatkeqësisht, nëse nuk shënojmë përparim, do ta humbim këtë (mundësi) këtë vit. Edhe për Serbinë do të jetë shumë e ngjashme. Bashkimi Evropian do të dëshirojë të shohë shenja më të qarta nga Serbia se është e interesuar ta zbatojë këtë marrëveshje të normalizimit ndërkohë që vendos për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit”.
Kosova dhe Serbia u pajtuan për normalizimin e raporeve gjatë muajit shkurt në Bruksel, kurse një muaj më pas, në mars, të dyja palët u dakorduan për Aneksin e zbatimit të saj.