Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, William Montgomery, ka vlerësuar se refuzimi i autoriteteve kosovare për të bashkëvepruar me SHBA-të, posaçërisht rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), ka krijuar një momentum të paparë deri më tani në marrëdhëniet mes Kosovës dhe aleatit të saj kryesor.
Në një intervistë për platformën e lajmeve në gjuhën serbe me seli në pjesën veriore të Kosovës (Kosovo-Online), diplomati amerikan ka nënvizuar se kryeministri kosovar, Albin Kurti, po shkatërron marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve, derisa nuk ka lënë pa kritikuar edhe qasjen e deritanishme të partnerëve transatlantik në dialogun për normalizimin e marrëdhënive.
Montgomery ka kujtuar se NATO-ja nën udhëheqjen e SHBA-ve e ka bombarduar Serbinë më 1999 pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) vetëm e vetëm për t’i ndihmuar shqiptarët e Kosovës, por sipas tij, kreu i ekzekutivit kosovar tani po sillet në një mënyrë të pafalshme, duke rrezikur partneritetin e gjatë mes Kosovës dhe SHBA-ve.
“SHBA-të, për të qenë shumë i sinqertë, duke injoruar dhe anashkaluar OKB-në, bënë një hap të madh për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës. Një hap të madh. Që atëherë kemi punuar së bashku, në kushte shumë të mira. Kryeministri i Kosovës po e refuzon këtë bashkëpunim. Ai po shkatërron marrëdhëniet tona dhe po sillet në një mënyrë që është e pafalshme”, ka thënë Montgomery.