Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar. Rezoluta është miratuar me 97 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Në rezolutë është vlerësuar edhe bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR në “aksionin e përbashkët, për t’i zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri thirrje për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar.

“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar ajo atëherë do të përsërisë krimin. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë të cilët sulmuan në Banjskë të dielën janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Ndërkohë kryetari i LDK-së tha thënë se synimi i sulmit terrorist ishte krijimi i një realiteti të ri në veri. Sipas tij, përgjigja e autoriteteve të Kosovës ka qenë “më adekuatja e mundshme”.

“Si përgjigje ndaj këtij sulmi institucionet tona të sigurisë kishin dhënë përgjigjen më adekuate të mundshme. Në bashkërendim me aleatë dhe profesionalizëm më të lartë të mundshëm e diela e nisur me tragjedi në mëngjes u shndërrua në një ditë të triumfit të së drejtës ndaj terrorit”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.

Nga ana tjetër kryetari i PDK-së bëri thirrje për hetim ndërkombëtar për ta vërtetuar përfshirjen e Serbisë në këtë sulm.

“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të nis një hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist ndaj Kosovës. Ne tashmë gjithë e dimë dhe jemi të bindur por duam me fakte të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare. Sepse pa u zbardhur e vërteta e plot e këtij rasti, Serbia nuk mund të të jetë palë e besuar në asnjë lloj procesi përpara”, thot Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.

Ndërkohë kreu i AAK-së theksoi se zhvillimet në Kosovë kanë shkuar në drejtim të gabuar për fajin e Kurtit

“Sikurse Kurti, Osmani dhe Konjufca të kishin zgjedhur Uashingtonin dy vjet më herët do të kishim marrëveshjen për njohjen me Serbinë në kohë. Sikur të pranonte planin për tabelat në veri të amerikanëve, jo të Borrellit dhe Lajçakut, por të amerikanëve, sekretarit Blinken do të kishim veriun e integruar dhe nuk do të kishim përballje me terroristët”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist të së dielës ku u vra polici në detyrë Afrim Bunjaku. Policia e Kosovës ndërmori një aksion duke vrarë 4 terroristë, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur. Ata po mbahen në arrest nën akuzën për terrorizëm. Sulmi terrorist është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.