Policia e Shtetit ka vënë në pranga avokatin Alban Bengasi, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Golden Bullet” ose “Plumbi i Artë”.

Arrestimi i tij është bërë në hyrje të aeroportit të Rinasit jatë përpunimit të dokumentacionit të pasagjerëve.

Në njoftimin zyrtar thuhet: “Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar. Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.”
Kush është Alban Bengasi

Emri i avokatit të njohur doli pas dëshmisë së Nuredin Dumanit.

Ky i fundit tha se ishte paguar 120 mijë euro nga avokati për të rrahur bashkëshorten e tij, Blerta Bengasi.

Avokati i kishte kërkuar që fillimisht t’i thyente këmbën ose krahun dhe më pas ta vriste.

Dëshmia e të penduarit të drejtësisë përkon me dhunimin e Blerta Bengas. Ish-bashkëshortja e avokatit ka denoncuar në polici se në ditët e para të janarit 2020 është dhunuar nga një person në “Rrugën e Elbasanit”. Nuredin Dumani thotë se në fillim të vitit 2020, avokati Alban Bengasi, ish-bashkëshorti i Blerta Bengasit, i ka paguar për ta rrahur.

Siç shihet edhe nga pamjet, gruaja ka përfunduar në spital pasi është rrahur nga persona të paidentifikuar.