Ramallah
Forcat izraelite arrestuan 100 palestinezë përfshirë edhe ish-deputetë dhe zyrtarë të Hamasit në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor dhe Kudsit Lindor, raporton Anadolu.

Përgjegjësja për media e Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, Amani Sarahneh, në një deklaratë për Anadolu, theksoi se ushtria izraelite ka kryer bastisje në zona të ndryshme të Kudsit Lindor dhe Bregut Perëndimor.

Forcat izraelite kanë arrestuar të paktën 100 palestinezë, njoftoi Sarahneh duke thënë se në mesin e të arrestuarve janë disa anëtarë të Hamasit, duke përfshirë Hassan Yousef një nga zyrtarët e Hamasit në Bregun Perëndimor dhe ish-deputetë.

Ndër të tjera Sarahneh ka informuar se forcat izraelite kanë arrestuar 850 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori.

Ndërsa nga pala izraelite nuk është bërë ende një deklaratë lidhur me çështjen.

– Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksasë”.

Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Raportohet se 1.405 izraelitë, përfshirë 306 ushtarë humbën jetën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 3.478 palestinezë u vranë dhe mbi 12 mijë të tjerë u plagosën në Gaza nga sulmet e Izraelit. Thuhet se 69 palestinezë u vranë në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Po ashtu në sulmet izraelite humbën jetën edhe 13 gazetarë.

Së fundmi, në sulmin që Izraeli zhvilloi më 17 tetor ndaj spitalit Al-Ahli Baptist në Gaza, u vranë 471 palestinezë ndërsa 342 u plagosën prej të cilëve 28 në gjendje të rëndë.