Në këtë intervistë,  Drejtori i programit të Institutit për Media dhe Demokraci BIRC, Lorik Idrizi, thotë se një ndër qëllimet kryesore të projektit “Depolarizimi shoqëror si një rrugë drejt institucioneve të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe demokratike: kontributi i sektorit civil” si dhe i platformës online “#Depolarizohu” në kuadër të këtij projekti të financuar nga Civica Mobilitas, ka qenë që të krijohet një dialog përmbajtësor mes institucioneve, ekspertëve, shoqërisë civile dhe kategorive tjera shoqërore në drejtim të depolarizimit të diskursit në hapësirën publike, që nënkupton një gjithëpërfshirje kritike konstruktive përtej polarizimeve politike dhe etnike. Ai flet për konceptin e institucioneve demokratike, për administratën profesionale në shërbim të qytetarëve dhe për gjithë suazën e projektit që përfshin angazhime dhe aktivitete të shumta në drejtim të depolarizimit shoqëror si një rrugë e vetme për konsolidimin demokratik të institucioneve.

 

Jeni në përmbyllje e sipër të projektit “Depolarizimi shoqëror si një rrugë drejt institucioneve të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe demokratike: Kontributi i sektorit civil”. Në kuadër të këtij projekti është lansuar edhe platforma mediatike #depolarizohu.  Cili ka qenë përgjithësisht qëllimi i projektit dhe çfarë nënkupton realisht kjo platfromë ?

 

Ky projekt është realizuar nga Instituti për Shkenca Sociale dhe Humane – Shkup i mbështetur nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në kuadër të programit “Civica Mobilitas” dhe në bashkëpunim me partnerët: Institutin për Media dhe Analitikë (IMA, Shkup), Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC, Tetovë) dhe Jetë me Sfida (Manastir). Si temë konstante e projektit kanë qenë institucionet demokratike në kuptimin e konsolidimit të tyre demokratik në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht në funksionimin horizontal që nënkupton inkluzionin e institucioneve, që realisht përfshinë edhe administratën. Një ndër qëllimet kryesore ka qenë që të krijohet një dialog përmbajtësor mes institucioneve, ekspertëve, shoqërisë civile dhe kategorive tjera shoqërore në drejtim të depolarizimit të diskursit në hapësirën publike, që nënkupton një gjithëpërfshirje kritike konstruktive përtej polarizimeve politike dhe etnike. Në kuadër të projektit është lansuar edhe platforma online #Depolarizohu, që nëpërmjet studimeve, analizave dhe shkrimeve tjera është pikërisht në funskion të inkluzionit demokratik të institucioneve dhe në funskion të depolarizimit të diskursit publik. Kjo platformë i dedikohet rritjes së vetëdijes së qytetarëve dhe opinionit publik për të promovuar, kultivuar pandërprerë institucionet demokratike si një vizion vlerash dhe praktikash që nuk mund të  reduktohet vetëm në dimensionin teknik që ndërlidhet me metodologjinë e re të rrugëtimin europian, sepse institucionet nuk nënkuptojnë vetëm terminologji teknike integrimesh, por nënkuptojnë pjesëmarrje të gjerë të më tepër aktorëve shoqëror.

 

Projekti ka në esencë depolarizimin e diskursit publik, vlerësoni se jemi një shoqëri e polarizuar. Çfarë duhet ndryshuar?

 

Përgjithësisht vendet e Ballkanin Perëndimor për shkak të kaluarës së tyre dhe tranzicionit  me shumë anomali politike vuajnë nga sindormi i polarizimit. Maqedonia e Veriut nuk është një përjashtim. Kanë qenë të pranishme dhe vazhdojnë të jenë të pranishme polarizime etnike, politike dhe përgjithësisht shoqërore. Janë stade politike dhe kulturore që vështirë tejkalohen. Pikërisht për shkak të këtij polarizimi nuk ka arritur të krijohet një koncept modern mbi institucionet që shkon përtej përkatësisë etnike dhe politike. Gjatë kohë institucionet kanë vuajtur pikërisht nga ky lloj diskursesh polarizuese që kanë pamundësuar strukturimin e tyre mbi bazën e principit inkluziv. Shpesh here institucionet janë mbyllur në koncepte të njëanshme polarizuese duke përjashtuar pjesëmarrjen dhe reflektimin gjithëpërfshirës. Ky projekt synon pikërisht depolarizimin e diskursit publik dhe promovimin e një koncepti të ri mbi institucionet që është në përputhje me standardet europiane si vlerë dhe përmbajtje dhe jo vetëm si termonologji, gjegjësisht retorikë. Sigurisht që kjo gjendje mund dhe tashmë ka filluar të ndryshojë, gjithnjë me një pjesëmarrje substanciale të ekspertëve, të cilët kanë njohuri të plotë mbi hapjen e kapitujve të negociatave, mbi implementimin përmbajtësor të standardeve europiane që realisht sigurojnë institucione demokratike dhe tërësisht inkluzive.

 

Projekti ka në fokus administratën, sipas jush, cilat janë problemet kryesore të administratës në periudhën e tranzicionit dhe cilat janë sfidat për një administrate efikase?

 

Zanafilla e problemit qëndron në kalimin nga sistemi monist në sistem demokratik, sepse ekziston një keqkuptim i madh dhe shpesh ngatërrohet koncepti i institucioneve me atë të partisë dhe formave tjera të papërshtatshme burokratike. Sistemi monist ishte krijuar për t’i shërbyer partisë dhe me rënien e partisë ra edhe burokracia shtetërore dhe kjo krijoi nevojën që koncepti i vjetër i administratës të zëvendësohet me një koncept të ri. Ky kalim nga një koncept në tjetrin ka njohur shumë anomali, shumë devijime dhe mbi të gjitha ka ruajtur brenda vetes ngërçet e dikurshme burokratike që pamundësojnë që administrate të jetë në shërbim të qytetarëve. Siç e dimë, gjatë tërë kohës kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi administrate të partizuar dhe joefikase. Ky projekt, në fakt, synon që të trajtojë me përgjegjësi dhe përkushtim problematikat e shumta që e tangojnë administratën për të krijuar kështu një koncept tjetër, që nënkupton administrate profesionale dhe efikase që shkon përtej polarizimeve politike.

Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë sot një administratë të konsoliduar dhe profesionale për shkak të konsensusit të përgjithshëm për reformat, por edhe për shkak të kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) në kuadër të procesit të integrimit evropian. Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe vendet e tjera të rajonit me të kaluar moniste, ende janë duke bërë përpjekje për reforma – profesionalizim dhe departizim të administratës. Partizimi nga një parti në të kaluarën, që nga vitet 90-ta e e këndej, është zëvendësuar me partizimin nga shumë parti. Kjo mundëson të kemi institucione të brishta dhe demokracinë jofunksionale, që nuk arrin të japë rezultatet e pritura për qytetarët.

 

 

Cili është roli i shoqërisë civile në krijimin e frymës së mirëbesimit në mes institucioneve dhe qytetarëve?

Padyshim se roli i shoqërisë civile është t’i krijojë premisat për një dialog dhe një përafrim mes institucioneve dhe qytetarëve. Shoqëria civile gjithmonë mbetet të jetë zëri i qytetarëve dhe të avokojë për instituticone efikase dhe demokratike, por duhet të jetë e gatshme edhe të ulet në dialog të përhershëm me institucionet për të mirën e qytetarëve, sepse pikërisht në këtë rast qytetarët mishërohen në avokimet e shoqërisë civile. Institucionet, shoqëria civile dhe bashkë me këtë edhe qytetarët në asnjë rast nuk duhet të jenë në një betejë të vrazhdë polarizuese, përkundrazi duhet të jenë në një dialog permanent për të konsoliduar institucionet demokratike gjithmonë në shërbim të qytetarëve.

 

Çfarë nënkuptohet me institucione demokratike?

 

Me institucione demokratike nënkuptojmë diçka më shumë se zbatim teknik i ligjit, sepse edhe në regjimet autoritare funksionon ligji, por institucionet nuk janë demokratike. Institucionet demokratike nënkuptojnë një pjesëmarrje të gjerë të më tepër aktorëve të jetës shoqërore, që me përgjegjësi të plotë profesionale dhe në mënyrë kreative janë në shërbim të qytetarëve, të sistemit të vlerave dhe gjithë asaj që nënkupton suazë europiane funksionimi. Institucionet demokratike nënkuptojnë qytetarin në radhë të parë, dinjitetin e tij dhe gjithë shërbimin profesional që duhet t’i marrë. Pikërisht në këtë drejtim duhet të punohet, të krijohet një paradigmë e re përmes rritjes së vetëdijes që nënkupton se qytetari është në radhë të parë dhe se institucionet e shërbejnë atë dhe janë në funksion të qytetarit. Pra, duhet më shumë sensibilizim që edhe qytetarët ta kuptojnë së institucionet janë në shërbim të tyre, kështu ato do t’i mainfestojnë të drejtat e tyre në mënyrë më demokratike.

 

Çfarë duhet të ndryshojmë?

Duhet ta kuptojmë se kontekstet e reja na shfaqin problematika të reja, dhe si rrjedhojë na nevojiten zgjidhje të reja. Një dimension shumë i rëndësishëm mbetet digjitalizimi. Në vendet e Ballkanit Perëndimor digjitalizimi përveç se shfaqet si nevojë për efikasitet dhe efiçiencë do të ndryshojë gjithë paradigmën e funksionimit të sistemit administrativ dhe shtetëror, do të tejkalohet mendësia “ballkanike” e subjektivitetit të kryerjeve së shërbimeve dhe do parandalohej dhënia e mitos për shërbime bazike Një katalizator i madh i nxitjes së digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut është edhe shoqëria civile, e cila nëpërmjet shumë nxitjeve, sensibilizimeve ka arritur të rrisë vetëdijen dhe të bëjë presion publik për avancimin e agjendave digjitale.

 

 

Gjatë tërë kohës theksoni standardet dhe vlerat europiane. Si lidhet projekti me rrugëtimin evropian?

Sipas raportit nga procesi i skriningut, ndër sektorët më të cenueshëm janë pikërisht shëndetësia, arsimi dhe vetëqeverisja lokale. Pikërisht në kapitullin “Administrata Publike”, raporti citon nenin 41 të Kartës Evropiane të të Drejtave Themelore, i cili i referohet të drejtës së qytetarit për administrim të mirë. Pastaj duke i parë seancat shpjeguese të skriningut kuptojmë se sa e rëndësishme është metodologjia ndërsektoriale e ndërtimit të politikave që konkretizojnë vlerat e Kartës Evropiane, e cila përfshin drejtësinë administrative, si dhe të gjitha të drejtat që duhet të materializohen në sektorin publik si shërbim ndaj qytetarit. Në këtë kontekst, më këtë projekt synohet demistifikimi i metodologjisë, duke e bërë më qartë dhe të kuptueshme diçka që fshihet pas terminologjisë tepër teknike të proceseve integruese evropiane. Institucionet mund të jenë edhe efikase edhe të punojnë sipas ligjeve, por kjo nuk mjafton që ato të jenë demokratike.

Nëpërmjet hulumtimeve dhe mobilzimit të qytetarëve duke bërë observim kritik dhe konstruktiv ky projekt synon të krijojë suazën e nevojshme për të kultivuar pandërprerë idenë e institucioneve demokratike, që nënkupton gjithëpërfshirje dhe strukturim që gjithnjë në fokus ka qytetarin.