Ja cilat prona i janë marrë Gruevskit: Mes pronave janë edhe tre apartamente në “Panorama Residence”

Agjencia për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar njoftoi se është iniciuar procedurë për kthimin e mjeteve në buxhetin e shtetit nga pasuria e konfiskuar e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Bëhet fjalë për banesa, apartamente dhe truall ndërtimi që i janë marrë me vendime gjyqësore të formës së prerë, informon PRESSonline.al
“Me hyrjen në procedurë qeveritare filloi kthimi i mjeteve në buxhetin e shtetit nga pasuria e konfiskuar e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Fjala është për dy banesa që gjenden në rrugën Bihaçka, njëra prej 65m2, tjetra 44m2, në ZK Kisella Voda 1, të konfiskuara me aktgjykim të formës së prerë III KOK nr.63/21 nga Gjykata Themelore Penale Shkup. Përveç këtyre dy banesave, janë sekuestruar edhe tre banesa në Panorama Residence, si dhe tokë ndërtimore në ZK Qendër dhe tokë ndërtimore në ZK Norovë, të cilat po ashtu në një kohë të shkurtër do të vihen në proces shitje”, njofton Agjencia për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar në faqen e saj në Facebook.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ndaj të cilit janë në pritje disa çështje gjyqësore, në vitin 2018, pas shpalljes së dënimit me burg për rastin “Tanku”, u arratis në Hungari, ku edhe mori azil. Autoritetet maqedonase kanë lëshuar një fletarrest ndërkombëtar për të.