Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova ka paralajmëruar akuza ndaj përgjegjësve në rastin e depozitimit të mbetjeve të rrezikshme të zgjyrës së plumbit në afërsi të lumit Lepenec, ndërsa priten analizat kimike, të cilat janë në proces.
Në pyetjen e një gazetari se deri ku është hetimi i inspektorëve që po kontrollojnë dokumentacionin e kompanisë së dyshuar, ministrja Shukova ka konfirmuar se inspektorati shtetëror ka filluar hetimet dhe rezultatet do të dihen më së voni deri të martën. Aktualisht janë duke u bërë analizat kimike, pas të cilave, siç ka theksuar, do të dihet se për çfarë mbetjesh bëhet fjalë dhe sa të rrezikshme janë.
Për rastin me zgjyrën e plumbit në brigjet e lumit Lepenec në territorin e komunës Gjorçe Petrov ishte hapur rast për procedurë inspektuese. Nga vetëqeverisja lokale bënë me dije se në territorin e tyre nuk ka asnjë kompani me leje të integruar “A” që përpunon këtë lloj mbetjesh.
Gjatë një xhiroje të rregullt në atë zonë, një inspektor i autorizuar i mjedisit jetësor ka evidentuar asgjësimin e zgjyrës nga përpunimi i baterive akumulatore në afërsi të fshatit Orman, në një sasi prej 500 deri në 600 tonë.
Nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor konfirmuan se mbetjet janë vendosur javën e kaluar.
“Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme që mund të çojnë në dëmtime të rënda për shëndetin e njeriut.