Dhjetëra parti të reja u formuan në periudhën e fundit në dy kampet politike, maqedonase dhe shqiptare. Të gjitha partitë e sapoformuara pretendojnë se do të fitojnë pushtetin, por ende nuk kanë struktura dhe degë në të gjithë territorin e Republikës, shkruan PRESSonline.al
Sa realiste janë ambiciet e tyre në krahasim me kapacitetet e tyre strukturore dhe politike?
Gazetari dhe njohësi shumëvjeçar i ngjarjeve politike në vend – Zoran Bojarovski thotë se demokracia parlamentare dhe pluralizmi politik janë bazë për një mjedis për krijimin e partive politike, lëvizjeve, filozofive politike që duhet ta pasurojnë atë mjedis. Nga ky aspekt, shton ai, nuk shoh ndonjë gjë të diskutueshme në themelimin e partive të reja politike.
“Është e lehtë t’i themelosh, rregullorja e mundëson këtë, por është shumë më e vështirë të mbash “gjallë”, dhe është akoma më e vështirë të zësh një hapësirë të konsiderueshme në mjedisin tashmë të krijuar plural politik. Është më e vështirë kur parti të tilla krijohen mbi bazën e ambicjeve personale të shkaktuara nga pjesëmarrja e mëparshme e “tradhtuar” në një parti tjetër politike. Nëse pas ndonjë nisme politike në formë partie nuk ka përmbajtje autentike, të re që buron nga pritjet e mbështetjes më të gjerë të qytetarëve që pritet t’i votojnë në zgjedhje, atëherë është një betejë e kotë”, tha Bojarovski për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Kemi parë, thekson Bojarovski dhe kemi qenë dëshmitarë të disa tentativave të tilla, e disa tashmë janë harruar.
“Nga ana tjetër, që të mos i “dënoj” paraprakisht si të tillë, në kushtet e reformave zgjedhore të papërfunduara, përpjekjet e atyre partive do të jenë të kota sepse sistemi aktual zgjedhor është krijuar për të thithur partitë e mëdha politike. Dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, përkundrazi, formimi i një partie politike nuk përfundon me një asamble kushtetuese dhe një fjalim “të fortë”, zakonisht populist, por kjo është vetëm fillimi. Nëse një parti politike në thelb dëshiron të ketë më shumë ndikim, detyra më e vështirë mbetet: të krijojë një infrastrukturë partiake, një rrjet anëtarësh dhe/ose simpatizantësh. Kjo është gjëja më e vështirë dhe nëse themeluesit nuk janë gati të veshin këpucë me taban të trashë që duhe të harxhohen në fund të këtij misioni, më mirë të përgatiten për “jetën e shkurtër”, të asaj partie, nënvizon ai, përcjell PRESSonline.al
Nga ana tjetër, analisti politik Besim Nebiu thotë se në bllokun politik shqiptar ka dy kampe – një rreth Bashkimit Demokratik për Integrim dhe një rreth bllokut opozitar shqiptar.
“Aktualisht janë dy blloqe shqiptare, i pari rreth BDI-së, i dyti rreth koalicionit trepalësh. Partitë e vogla lindin nga elementë të BESA-s dhe Alternativës, të cilat kanë humbur situatat brendapartiake. Këto janë në fakt parti private të një zyrtari apo deputeti, të cilët presin oferta për angazhim politik nga qeveria. Pra, bëhet fjalë më shumë për ambicie personale sesa për ato politike”, thotë Nebiu në një prononcim për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Zhivko Jankulovski, kryetar i Partisë së Demokratëve të Bashkuar të Maqedonisë – PODEM për “Frontline” beson se të paarsyeshme janë ambiciet e të ashtuquajturve liderë të rinj, me përjashtim të dy subjekteve politike, një në bllokun maqedonas dhe një në bllokun shqiptar, ku realisht pritet të fitojnë një deri në tre deputetë dhe asgjë më shumë.
“Mendoj se të tjerët janë të vetëdijshëm se nuk kanë as një perspektivë teorike për të arritur diçka më shumë, por synimi i tyre kryesor është të gjenden në një lloj koalicioni me partitë më të mëdha dhe të përfitojnë personalisht prej atij koalicioni, nëse ia dalin. Përshtypja ime është se në këto momente shteti nuk ka nevojë për ndarje, por përkundrazi për afrim dhe bashkim të të gjithëve, si të bashkuar të dalim nga kjo krizë e madhe politike ekonomike”, thekson Jankullovski, përcjell PRESSonline.al
Analisti politik Urim Saliu thotë se partitë e shqiptarëve janë jashtëzakonisht të ndara, por çuditërisht shumica e tyre janë të vogla dhe nuk mund të konkurrojnë politikisht me fuqitë e mëdha politike.
“Shumica e partive të krijuara nga partia e Ali Ahmetit ende nuk kanë struktura të organizuara dhe janë të papërgatitura për zgjedhje. Pyetja është nëse kanë dalë për t’u hakmarrë ndaj partisë në të cilën kanë qenë anëtarë dhe zyrtarë për vite me radhë apo të vazhdojnë të mbeten në skenën politike në kundërshtim me veten e tyre. Partive të vogla pa ndikim në thelb u mungon uniteti sepse sado që të bashkohen, ato ndahen njësoj mes tyre”, tha Saliu për Frontline.
Sipas tij, dihet se ku kanë përfunduar deri tani fraksionet.
“Shumica e partive të vogla e shohin fitoren tek të tjerët sepse e dinë forcën e tyre të vërtetë” – beson ai.
Ish-deputeti Zudi Xhelili tha për “Frontline” se nga partitë ekzistuese, vetëm BDI dhe Aleanca për Shqiptarët kanë një pozicion të gjerë, në të gjithë territorin ku jetojnë shqiptarët.
“Blloku i opozitës (rryma) ka një rregullim të pjesshëm në terren. Do të ketë sërish dy oferta serioze, nga dy partitë më të mëdha për shkak të konfigurimit me struktura në terren. Shumë politikanë treguan ambicie duke formuar partitë e tyre, por dështuan, për shembull Isni Shaqiri, Imer Selmani, Bardhyl Mahmuti, Alajdin Demiri, Rufi Osmani, Gzim Ostreni, Iljaz Halimi etj”, nënvizoi Xhelili.
Përkrahësit e personalitetit të Nikolla Gruevskit, i cili thuhet se do t’i bashkohet partisë së paralajmëruar “Pravda” të kryetares së Qytetit të Shkupit – Danela Arsovska, Maksim Dimitrievski dhe Izet Mexhiti, do të “vrapojnë” kundër ish-partiakëve me retorikën se do të fitojnë pushtetin. Ndërkohë në kampin politik të shqiptarëve u formuan edhe disa parti të tjera nga ish-zyrtarë të partive ekzistuese. Sipas sistemit ekzistues zgjedhor, në zgjedhjet parlamentare zgjidhen 123 deputetë. Prej tyre, 120 deputetë zgjidhen sipas modelit proporcional, dhe tre deputetë (nga radhët e diasporës) zgjidhen sipas modelit mazhoritar në një zonë zgjedhore, një deputet nga tre njësi në Evropë dhe Afrikë, në Amerikën e Veriut dhe të Jugut dhe në Australi dhe Azi.