Interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal është i madh. Për një javë prej fillimit të vaksinimit janë paraqitur 51,649 persona, ndërsa deri më tani janë imunizuar mbi 10 mijë qytetarë, informoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Ai thekson se është i rëndësishëm imunizimi për mbrojtje kolektive dhe personale.
“Jam i kënaqur nga qytetarët për interesimin e madh për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal. Me këtë rast ata treguan që kanë përgjegjësi për shëndetin e tyre dhe janë të informuar se vaksina kundër gripit sezonal e mbron organizmin nga komplikimet e rënda shëndetësore, sidomos tek grupet e rrezikuara të qytetarëve. Në punktin e vaksinimit në Bit Pazar për një javë janë vaksinuar 824 persona, ndërsa termin për vaksinim kanë caktuar 3,957 persona dhe numri çdo ditë rritet.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Qytetarët e anketuar kanë mendime të ndara për vaksinën kundër gripit sezonal.
“Po, jam paraqitur, kam termin dhe është mirë për të gjithë të moshuarit të marrin. I mbron dimrit nga gripi dhe viruset. Çdo vit vaksinohem, nuk i kam problem këto gripet sezonale, nuk më kapin, sugjeroj të gjithëve që t’i marrin vaksinat, është pa pagesë.”, – u shpreh një qytetar.
“Nuk kam pasur problem me gripin dhe viruset, ndjehem mirë, andaj nuk e preferoj të vaksinohem.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
“Jo, nuk dua! Vitin e kaluar i kam marrë dy vaksina dhe nuk jam ndjerë mirë. Do ta shoh!”, – theksoi një qytetar.
“Unë ndjehem mirë dhe nuk vaksinohem.”, – tha një qytetare.
“E di që na mbron, por kam shumë sëmundje.”, – tha një qytetar.
“Po, normal dëshirojmë.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka siguruar 60 mijë vaksina falas kundër gripit sezonal për kategorinë e rrezikuar të qytetarëve. Ndërsa, qytetarët e tjerë që dëshirojnë të vaksinohen u kushton 700 denarë.