Njëri nga të rinjtë më aktiv dhe më produktiv në vend- përfaqësues special për të rinjtë i kryesuesit të OSBE-së, Bujar Osmani dhe anëtar i Kabinetit të kryediplomatit të parë shqiptar në vend, Memet Zhaku për portalin tonë ka ndarë pak kohë për t’u përgjigjur në pyetjet tona rreth aktiviteteve të tij, pozitës së të rinjve, në nivel republikan dhe ndërkombëtar dhe rreth Forumit rinor- ngjarje ndërkombëtare- që do të organizohet nga vetë ai në qytetin e Shkupit.

Intervistoi: Urim Saliu 

TetovaSot: Kush është Memet Zhaku dhe me çfarë merret?

Fillimisht Ju falënderoj për intervistën dhe interesin e shprehur rreth aktiviteteve dhe angazhimit tim. Vij nga Struga, për momentin jetoj dhe veproj në Shkup. Kam diplomuar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë në vitin 2013, Fakulteti Juridik, ndërsa kam magjistruar në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi, në Shkup, Fakulteti Juridik- “Justiniani l” në drejtimin “E drejta penale”, në vitin 2015. Në vitin 2017 kam dhënë provimin e Jurisprudencës.

Aktualisht jam pjesë e kabinetit të Ministrit për Punë të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për organizimin e aktiviteteve të ministrit, për resurse njerëzore dhe për çështjet organizative të ministrisë. Gjithashtu edhe Koordinator Nacional për Rininë- marrë pjesë aktive në projekte që kanë të bëjnë me rolin dhe pozicionin e të rinjve në vend, si dhe me sfidat e  politikave rinore, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2017 kam mbajtur pozitën e shefit të kabinetit të zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga viti 2017 deri në vitin 2020 kam qenë pjesë e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, përgjegjës për çështje organizative.

 

TetovaSot:  Edhe pse në moshë i ri, gjatë viteve të fundit keni pasur shumë angazhime. Gjatë rrugëtimit në politikë dhe si pjesë e ekzekutivit, çka do të veçonit, cila sfidë ju ka kalitur më tepër?

Po, gjatë angazhimit politik kam qenë pjesëmarrës në shumë ngjarje dhe organizime, nga ato me karakter lokal e deri te ato me karakter republikan e ndërkombëtar, herë si pjesëmarrës e herë si organizator. Njëherazi edhe pjesë e shumë grupeve të punës, ndër të cilat veçoj: Forumin e Prespës për Dialog; Dialogun Strategjik me SHBA; Akademinë Diplomatike; Protokollin Diplomatik, si dhe Task Forca e Kryesisë së OSBE-së dhe grupi i punës për organizimin e Samitit të OSBE-së në Shkup- që do të mbahet në fund të këtij muajit, respektivisht 29-31 nëntor.

Kam qenë i përfshirë në Skemën e BE-së për profesionistët e rinj në Ballkanin Perëndimor 2017-2018; anëtar i Delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Samitin e NATO-s në 2018; anëtar i Delegacionit Zyrtar në Prespë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për emrin me Greqinë 2018; pjesëmarrës në Programet e Liderëve të Ardhshëm të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Francës; Akademia e 7-të Politike nga Friedrich Edbert Stiftung; Debat publik organizuar nga Forumi Arsimor Rinor 2010; Simulimi i Parlamentit Evropian 2013; Olimpiada Turke 2008; Simulimi në një gjyq civil në Fakultetin Juridik 2013.

Së fundmi, me të marrë kryesimin e OSBE-së, kryediplomati i vendit, njëherazi edhe kryesues i organizatës më të madhe rajonale për siguri, Bujar Osmani më ka emëruar si Përfaqësues Special i kryesuesit për të rinjtë. E kam marrë pozitën me shumë përgjegjësi dhe mundohem ta ushtroj në mënyrën më të mirë të mundshme, me shumë vullnet dhe entuziazëm. Dhe, gjithsesi se ky funksion është ndër më të rëndësishmet, sa nder më ka dhënë edhe përgjegjësi.

TetovaSot: Përfaqësues special për të rinjtë i Kryesuesit të OSBE-së, Bujar Osmani. Na trego pak më shumë për këtë detyrë. Cila është barra jote me emërimin tënd si Përfaqësues special për të rinjtë?

Ardhmëria është e ndritur kur të rinjtë kanë timonin. Dhe, meqë lokomotiva është e rinisë, kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani ka vendosur lartë në agjendë të rinjtë, duke iu kushtuar  vëmendje kudo që është, prandaj edhe ka caktuar Përfaqësues për të rinjtë. Rinia ka qenë kryefjala e kryesimit me OSBE-në gjatë vitit 2023, dhe lartë në prioritetet e kryediplomatit Osmani.

Gjatë këtij mandati vizitova shumë qendra rinore, në vende të ndryshme të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, duke filluar nga Europa e deri në Azinë Qendrore. Shkëmbeva mendime dhe ide me shumë të rinj. Diskutuam për sfidat e politikave ekzistuese. U angazhuam në përpikëri që të identifikojmë boshllëqet, me qëllim që të gjejmë praktikat më të mira dhe qasjet e reja për parandalimin e fenomeneve devijuese te të rinjtë. Tentuam inkurajimin e të rinjve për kyçje në politikbërje, duke e theksuar zëshëm fuqinë rinore dhe kapacitetin si parakusht për suksese të shumta.

Për faktin se, ne nuk jemi thjesht udhëheqësit e së nesërmes; por liderët e të sotmes. Ne, të rinjtë, mbajmë pozicion unik në formësimin e botës në të cilën duam të jetojmë, një botë që mishëron vlerat e paqes, barazisë dhe drejtësisë. Zërat tanë kanë rëndësi dhe kontributet tona janë thelbësore në gjetjen e zgjidhjeve novatore dhe të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballemi. Duhet të mëtojmë bashkë, përtej kufijve kombëtarë, kulturorë dhe ideologjikë, që të krijojmë  botë gjithëpërfshirëse dhe harmonike që respekton të drejtat dhe dinjitetin e çdo individi.

 

TetovaSot:  Nga takimet e shpeshta me të rinjtë, nga katër anët e botës, cili është konkluzioni juaj? Për çfarë kanë nevojë më shumë të rinjtë?

Në një botë plot konflikte dhe dhunë, është thelbësore të njohim fuqinë e të rinjve tanë dhe atë që ata mund të arrijnë me potencialin e tyre. Kudo ku prezantova si Përfaqësues Special erdha në përfundim se të gjithë të rinjtë, kudo që jetojnë, çfarëdo komuniteti qoftë, kanë brengat e njëjta. Andaj, ne duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin, të respektojmë mendimet ndryshe dhe të bashkëpunojmë për qëllime të përbashkëta. Kujtoj se të rinjtë nuk janë thjesht përfitues nga aksionet tona (si OSBE); por partnerë në misionin tonë si OSBE, vlerat dhe parimet tona.

TetovaSot:  “Youth Forum” është organizimi i radhës nën përgjegjësinë tuaj si Përfaqësues special. Lutem për detaje më të hollësishme për organizimin dhe rëndësinë e Forumit.

Kështu, Forumi Rinor i Kryesimit të OSBE-së 2023 të Maqedonisë së Veriut synon të ofrojë platformë dhe kontinuitet të aksioneve të ndërmarra nga OSBE-së përmes një qasje interaktive të të rinjve. Si i tillë, fuqizimi i të rinjve dhe inkurajimi i pjesëmarrjes së të rinjve në të gjitha aspektet shoqërore është gjithashtu prioritet në nivel nacional për Maqedoninë e Veriut.

Shumë të ri dhe të reja në të gjithë rajonin tonë po krijojnë inovacione dhe sipërmarrje dhe po promovojnë në mënyrë aktive kulturë paqeje, dialogu, drejtësie, bashkëjetese paqësore, besimi dhe pajtimi.

Seancat interaktive, gjatë Forumit që do të organizojmë, synojnë të tregojnë se si sipërmarrësit e rinj në rajonin e OSBE-së po gjejnë zgjidhje inovative për të adresuar shqetësimet sociale dhe mjedisore në komunitetet e tyre. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të angazhohen, të mësojnë, të bëjnë pyetje dhe të frymëzohen.

Forumi do të mbahet në Shkup, në Qendrën edukative M6.