Lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka përsëritur akuzat se BDI tashmë është shndërruar në parti kriminogjene.
“Sot jemi bashkuar këtu për t’i sfiduar betejat e radhës, duke demonstruar unitetin tonë për t’i dhënë fund keqqeverisjes, e cila shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i ka mbështetur për muri duke krijuar një mozaik të dhimbjes dhe zbehje të shpresave dhe perspektivës. Ky koalicion nuk pretendon të ketë monopolin e dëshirës për ndryshim. Sot jemi tre parti por presim që Lidhja Evropiane për Ndryshim të konsolidohet edhe më tej. Në kupolën e BDI-së së tjetërsuar dhe të skaduar, e cila për më shumë se njëzet vite zhgënjeu pritshmëritë e qytetarëve, janë instaluar një grup mercenarësh kriminogjenë që politikën e shfrytëzuan si trampolinë për karrierë personale dhe për t’u bërë oligark të ri”, ka thënë Izet Mexhiti.
I pyetur se kush pritet të jetë udhëheqës i koalicionit Fronti Evropian për Ndryshim, Mexhiti tha se nuk ka vetëm një udhëheqës, por koalicioni do të drejtohet nga secili kryetar në subjektin e vet. Mexhiti gjithashtu shtoi se në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vend do të kenë kandidat shqiptarë për president të mbështetur nga opozita shqiptare.