Opozitari Hristijan Mickoski dhe ultranacionalisti dhe lideri i grupit anti-NATO dhe anti-BE, Dimitar Apasiev nuk do ta mbajnë më të fshehtë “dashurinë” e tyre. Që të dy deklaruan se nëse do të kenë nevojë pas zgjedhjeve parlamentare, do të hyjnë në koalicion për të formuar përfundimisht një qeveri të përbashkët, shkruan PRESSonline.al

Analistët politikë thonë se nuk duhet të habitemi me deklarata të tilla, kur dihet se edhe VMRO-DPMNE edhe Levica udhëhiqen nga të njëjtat motive dhe qendra ndikimi që nuk e duan të ardhmen evropiane të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Nga LSDM-ja në pushtet deklaruan se Mickoski është për koalicion me “Levicën”, kundër NATO-s dhe kundër BE-së, dhe Aleanca për Shqiptarët kërkon që partitë opozitare të shqiptarëve të distancohen nga VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski – pas deklaratave kundër integrimit dhe kundër shqiptarëve.

“Të gjitha veprimet e deritanishme të vëllezërve në bindje VMRO-së dhe Levicës tregonin unitetin dhe sinkronitetin e tyre. Deklarata të tilla nuk duhet të na habisin aspak, kur udhëhiqen nga të njëjtat motive dhe nga e njëjta qendër ndikimi. Ajo që është shqetësuese është sigurisht mundësia e autoritarizmit, e regresionit në të gjitha sferat e demokracisë, madje edhe shkëputje ndërkombëtare dhe bashkangjitje ndaj BRICS…, në të cilën nuk ka vend për vlerat evropiane, të cilat ata thonë se nuk u janë të afërta”, thotë profesoresha universitare Ana Çupeska për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al

Ish-deputeti Zudi Xhelili beson se VMRO-DPMNE, përveç konvergimit me forcat anti-NATO dhe anti-BE, siç është Levica, vazhdon të ushqejë retorikën e saj nacionaliste.

“VMRO-DPMNE vazhdon me retorikën e saj nacionaliste. Kur janë në pushtet përveç vjedhjes nuk u intereson asgjë tjetër. Retorika e tyre përdoret për politikë ditore dhe për të mbledhur vota. Nëse VMRO-DPMNE-ja me të vërtetë mendon të zbatojë një politikë antievropiane, do ta shohë fundin, dmth nëse duan të provokojnë përçarje, atëherë fundi do të jetë i keq për ta. Luajtja e kartës nacionaliste mund të shkaktojë dëme të mëdha për të ardhmen e vendit. Të mos e ndjekim shembullin e Millosheviqit ku e çoi Serbinë, sa dëm i solli popullit serb dhe si përfundoi”, tha Xhelili për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al

Nga LSDM-ja në pushtet thotë se Mickoski publikisht, para gjithë opinionit maqedonas, ka thënë se është për koalicion të VMRO DPMNE-së me Levicën.

“Me këtë Mickoski e vërtetoi drejtpërdrejt atë që LSDM e ka thënë gjatë gjithë kohës lidhur me koalicionin DPMNE dhe Levica. Mickoski do të negociojë një martesë koalicioni me Levicën, e cila është një parti kundër BE-së dhe NATO-s, faktor destabilizimi, izolimi dhe rrezikimi i rrugës evropiane të vendit. Të gjitha maskat e DPMNE-së kanë rënë. Mickoski e tregoi të vërtetën për marrëdhëniet e tij politike me Levicën në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare”, thuhet në deklaratën e partisë së LSDM-së, përcjell PRESSonline.al

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka theksuar se VMRO-DMPNE historikisht përpiqet të fitojë pikë politike duke u treguar antishqiptare.

“Partitë opozitare të shqiptarëve duhet të distancohen nga VMRO-DPMNE-ja, përderisa ajo bën deklarata kundër integrimit të shtetit dhe kundër shqiptarëve”, thotë Snopce.

Në dhjetor, në mbledhjen e Kuvendit, partitë parlamentare do të marrin një vendim përfundimtar konsensual se në cilën ditë të majit do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare – njoftoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili për momentin nuk konfirmon nëse ai termin për zgjedhje të përbashkëta është 8 maji, e mërkurë.

“Dhjetori ofron një mundësi për të organizuar një takim në Kuvend me partitë parlamentare, ku do të përcaktojmë të gjitha detajet rreth mbajtjes së zgjedhjeve. Në një kohë shumë të shkurtër do të kemi një Kod Zgjedhor, i cili përfshin të gjitha rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-së dhe që do të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, siç kemi pasur edhe në ciklet e kaluara, ndryshe nga periudha 11-vjeçare që u karakterizua si jodemokratike”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Nëse më 8 maj mbahen zgjedhje të dyfishta, kjo do të thotë që Qeveria teknike 100 ditë para zgjedhjeve duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 janari me kryeministër shqiptar, sipas marrëveshjes LSDM-BDI.