Bashkëpunimi i përgjithshëm me NATO-n në kuadër të anëtarësimit tonë të plotëfuqishëm në Aleancë dhe mundësitë për avancimin e tij, prioritetet e politikës së jashtme të vendit dhe çështjet aktuale të sigurisë rajonale dhe situatat në rajonin më të gjerë në kontekst të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, ishin në fokus të takimit të presidentit Stevo Pendarovski me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Siç informojnë nga Kabineti i Presidentit, Pendarovski theksoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të kapaciteteve të saj, që edhe në të ardhmen në mënyrë aktive të kontribuojë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, si dhe në përballjen me kërcënimet tradicionale dhe të reja.

Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski e ka përshëndetur mbajtjen e takimit të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni nesër në Shkup.

Ai ndër të tjera theksoi se vizita e Sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg në vendet e Ballkanit Perëndimor dëshmon edhe një herë përkushtimin e NATO-s për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, në një kohë të sfidave të mëdha të sigurisë në mjedisin tonë më të gjerë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume