Një makinë ka hipur mbi trotuar pranë kryeministrisë në Tiranë duke përplasur një çift të rinjsh. Shkak i aksidentit ëhstë bërë shpejtësia e lartë e mjetit.

Për shkak të përpalsjes dy të rinjtë kanë mbetur të plagosur.

Siç shihet nga fotot, në vendin e ngjarjes ndodhet ambulanca dhe policia. Mësohet se ‘Benz’-i ka qenë me shpejtësi të lartë duke ardhur nga liceu te kryqëzimi i RTSH dhe ka përfunduar ne trotuar, duke përplasur çiftin. Ndërkohë, vajza ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Disa orë pas aksidentit është arrestuar drejtuesi i mjetit. Burime bëjnë me dije se ëhstë vënë në pranga Jorgaq Thengjilli.

Fatmirësisht në vendngjarje u ndodh një mjek i cili i dha ndihmën e parë të plagosurve, deri sa erdhi ambulanca.

Dy të rinjtë u dërguan me urgjencë në spital, ndërsa vajza ju nënshtrua një operacioni pasi ishte në gjendje më të rëndë.

Thengjilli gjithashtu ka qenë edhe më parë i gjobitur për thyerje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi:

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin J. Th., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ky shtetas, ditën e sotme, në rrugën “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, dyshohet për shkak të shpejtësisë mbi normat e lejuara, dhe ka aksidentuar shtetasit D. K., dhe K. D., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Drejtuesi i automjetit i është nënshtuar testit me “Drager” dhe “AquilaScan” dhe ka rezultuar që nuk kishte konsumuar pije alkoolike, apo lëndë narkotike.

Ky shtetas është ndëshkuar më përpara për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.