Qëndrimi i Bullgarisë është për pranim të Republikës së Maqedonisë së Veirut në BE pa alternativë. Burrështetasit mendojnë për brezat e ardhshëm, ndërsa politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme. Besojmë se mendja dhe vullneti politik do të mbisundojnë dhe këtë vit do të mund të presim me padurim fillimin e negociatave me BE-në. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria së bashku të ecin në këtë rrugë.

Këtë e tha kryetari i Kuvendit Popullor të Republikës së Bullgarisë Rosen Zheljaskov në një deklaratë për mediat pas takimit me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi.

Ai përshëndeti dhe falënderoi deputetët e Maqedonisë për, “qëndrimin e qartë të shprehur lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe konsolidimin e shumicës së qartë për ndryshimet kushtetuese”.

“Është e qartë se ka shumicë por nuk mjafton për momentin, por, siç ndava një mendim që burrështetasit mendojnë për brezat e ardhshëm, ndërsa politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme. Për ne është e rëndësishme që qëndrimi i Bullgarisë është për pranim pa alternativë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE. Në atë kuptim vitin e kaluar Parlamenti bullgar miratoi një deklaratë me të cilën miratoi propozimin francez, disa e quajtën një kompromis historik, por dy vendet tona e bënë kompromisin e domosdoshëm, ai kompromis është në emrin e popujve tanë dhe në atë kuptim qëndrimi bullgar nuk është më ndryshe nga qëndrimi i shumicës të cilin e ndajnë shumica në Kuvendin e Maqedonisë”, theksoi Zheljaskov.

Ai informoi se me Xhaferin kanë biseduar edhe për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar në vitin 2017 dhe ka shprehur shpresën se takimi i ardhshëm do të shënojë ndryshimet kushtetuese dhe fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.

“Theksuam se besimi që duhet të ndërtojmë duhet të jetë kundër gjuhës së urrejtjes, dhe garanci për këtë është respektimi efektiv i të drejtave të komunitetit bullgar dhe ndryshimet kushtetuese janë pjesë e kësaj rruge. Është e rëndësishme që ne të dimë se për Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç asaj evropiane dhe u bëj thirrje mediave të harrojnë disa narrativa, sepse shkëndija e tensionit ndizet shumë lehtë në Ballkan, por ne popujve tanë, u detyrohemi një të ardhme të përbashkët evropiane dhe një ekzistencë paqësore në këtë botë plot tensione. Prandaj vizita jonë e sotme është shprehje e synimeve tona më të mira, e miqësisë sonë, sepse e ardhmja jonë është përkushtimi ynë ndaj brezave të ardhshëm”, theksoi Zheljaskov.

Ai po ashtu ka falënderuar kryetarin Xhaferi për, siç tha, “qëndrimin e tij të urtë dhe parimor dhe uroj që të gjithë politikanët në Maqedoni ta ndjekin atë shembull”

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume