Jonuzi për “Fax News Albania”: Nuk ka vend në Maqedoninë e Veriut për nacionalistët prorusë dhe ekstremë që synojnë të destabilizojnë rajonin

“Epilogu i Samitit të 30-të të OSBE-së, i cili u mbajt në Shkup, ishte triumfues për diplomacinë perëndimore ndaj asaj lindore. Ishte një përballje mes forcave regresive që mbështesin politikën retrograde të Lindjes dhe forcave properëndimore”, tha gazetari Destan Jonuzi në televizionin “Fax News Albania”, duke folur për ngjarjet dhe konkluzionet e dala nga Samiti i 30-të i OSBE-së, i mbajtur javën e kaluar në Shkup.
Sipas tij, pjesëmarrja e shefit të diplomacisë ruse Sergej Lavrov në këtë samit është vërejtur vetëm pasi sekretari amerikan Antony Blinken është larguar nga Shkupi.
– Lavrov u injorua totalisht në samitin e OSBE-së në Shkup. Ai nuk ka dashur as t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarit për agresionin rus në Ukrainë, ndërsa që t’i shmangë ato – komentoi flokët e kolegut gazetar nga Gjeorgjia. Ajo që vlen të theksohet është organizimi perfekt dhe puna e palodhshme e shefit të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili përmes Samitit arriti të promovojë kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, si dhe përcaktimin strategjik të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Samiti i OSBE-së shënoi përcaktimin strategjik të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, ndërkohë që një goditje e fortë iu dha forcave retrograde, regresive, këtu e kam fjalën për Rusinë, të cilët duan të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut , thotë Jonuzi, përcjell PRESSonline.al
Pjesëmarrja e Sergej Lavrov (Rusi), shton ai, ishte vetëm për të shkaktuar konflikte, por ajo u injorua me mjeshtëri nga liderët evropianë.
– Z. Bliken dhe Borrell nuk i dhanë mundësi takimi njeriut, vendi i të cilit është agresor kundër popullit ukrainas. Përveç diplomatëve amerikanë dhe të BE-së, Lavrov u bojkotua edhe nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, z. Dimitar Kovaçevski. Ai refuzoi ta takonte. Një nga mesazhet kryesore të Samitit të 30-të të OSBE-së ishte se nuk ka vend në Ballkanin Perëndimor për forcat retrograde, forcat proruse, forcat ekstreme nacionaliste që synojnë destabilizimin e rajonit, nënvizoi ndër të tjera Jonuzi.