Në seancën e Qeverisë është përcaktuar teksti i Propozim Ligjit për
drejtësi për fëmijët
Qëllimi kryesor i ligjit, propozues i të cilit është Ministria e
Drejtësisë, është realizimi i interesit më të mirë të fëmijës. Me këtë
ligj bëhet harmonizimi me direktivat e BE-së, që i referohen mbrojtjes
procedurale të fëmijëve të cilët janë të dyshuar ose të akuzuar në
procedurë penale dhe për përcaktimin e standardeve minimale për të drejtat,
mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave të krimit; Mundësohet unifikimi i
sistemit të ndihmës juridike për fëmijët në të gjitha dispozitat e Propozim
Ligjit; Forcimi i mbrojtjes së fëmijëve viktima dhe dëshmitarë në procedurë
penale; Futja e dispozitave procedurale në lidhje me rrjedhën e procesit
gjyqësor ndaj fëmijës dhe shqyrtimit kryesor; Fuqizimi i mekanizmave për
parandalimin e delikuencës së fëmijëve në nivel lokal dhe qendror, si dhe
fuqizimi institucional, material dhe funksional i Këshillit Shtetëror për
Parandalimin e Delikuencës Fëmijërore.
Karakteristikë bazë e Ligjit për drejtësi për fëmijët është vendosja dhe
rregullimi i drejtësisë restauruese, gjegjësisht procedurave
jashtëgjyqësore për veprimin e fëmijës që me ligj është parashikuar si
vepër penale ose kundërvajtje.
Risi mjaft e rëndësishme me këtë ligj është rregullimi i së drejtës për
dëmshpërblimin e fëmijës viktimë. Në bazë të paragrafit 1 të nenit 151 të
këtij ligji, përcaktohet se me qëllim të dëmshpërblimit të fëmijës i cili
është viktimë ose është i dëmtuar me një veprim që me ligj parashikohet si
vepër penale e dhunës dhe akteve të tjera të dhunës individuale ose
grupore, ndahen mjete në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë, pas pranimit paraprakisht të mendimit nga Këshilli
Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës Fëmijërore, sjell program vjetor
me të cilin i planifikon burimet dhe mënyrën e shpenzimit të mjeteve.