Nga 1,8 milionë votues, mbi 270 mijë janë votues me pengesa në zhvillim, por edhe pse kanë pasur të drejtën e votës, atyre u është mohuar e drejta që të jenë të zgjedhur, ankohen nga sektori joqeveritar. Në 30 vite parlamentarizëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk është zgjedhur asnjë deputet nga personat me pengesa në zhvillim. Shoqatat e personave me pengesa në zhvillim apelojnë te autoritetet e vendit, por edhe te shoqëria, që të ndryshohet vetëdija që edhe kjo kategori e qytetarëve të përfaqësohet në jetën politike. Ata mendojnë se në atë mënyrë më mirë do t’i realizonin të drejtat e tyre.
“Qëllimi i këtyre ndryshimeve të ligjit për partitë politike është që shteti ta plotësojë në një masë të caktuar obligimin pozitiv për sigurimin e kushteve për personat me pengesa në zhvillim, në mënyrë efektive dhe të plotë të marrin pjesë në jetën politike nëpërmjet përfshirjes së tyre në partitë politike, që rezulton me kandidimin e tyre nëpërmjet krijimit të obligimeve legjitime te partitë politike bazuar në financimin buxhetor. Vlerësojmë se kjo më së miri bëhet me stimulim pozitiv dhe negativ.”, – deklaroi Bllagica Dimitrovska nga Shoqata “Inkluziuva”.
Nga KShZ-ja thonë se marrin masa për personat me nevoja të veçanta në punën e këshillave zgjedhorë, ndërsa po bëhen përpjekje edhe deri te të gjitha institucionet që janë të lidhura me procesin zgjedhor.
“Prioritet i të dyja palëve ishte realizimi i qëllimeve nga memorandumi për bashkëpunim të kontribuojë për rritjen e përkrahjes së qytetarëve me pengesa, që në të gjitha segmentet dhe fazat e procesit zgjedhor, realizimin e të drejtës së votës, avancimin e punës së administratës zgjedhore me krijimin e kushteve për avancimin e përfshirjes së votuesve me pengesa dhe realizimin me sukses të zgjedhjeve inkluzive.”, – theksoi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Njëherit është parashtruar nismë për ndryshime në Ligjin për Financimin e partive politike, me të cilat do të mundësohej që së paku tre deputetë të zgjidhen nga kategoria e personave me pengesa në zhvillim.