Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dalë me një thirrje ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Kryediploamtja e Kosovës thotë se politika perëndimore e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar.

Ky reagim i Gërvallës, vjen pasi Serbia nuk i është bindur deklaratës që doli nga samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Referuar marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, Serbia nuk pajtohet nëse kjo dërgon në njohjen de-juro.

E për këtë Gërvalla kërkon që perëndimi të ndryshojë qasje ndaj Serbisë.

“Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor”, ka shkruar Gërvalla në platformën X, të enjten.

Figura të larta perëndimore merren me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, që mbetet akoma pa një marrëveshje finale.

Madje, edhe në terren ka tensione. Më 24 shtator, një grup terrorist e vrau policin Afrim Bunjakun, tashmë hero të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare e ka ritheksuar se normalizimi në mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm që të mos ketë eskalim, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.