Nga 1 janari 2024 kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për kosovarët, terminali i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është përplot me udhëtarë, njëjtë siç është edhe Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Nga ky i fundit kanë dhënë statistika alarmante të udhëtimit të kosovarëve drejt vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian këtë fillim vit.

Shqipe Durmishi, zëdhënëse e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, ka bërë të ditur se nga 1 janari 2024, kur ka filluar lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen, mesatarja ditore e nisjes së autobusëve nga Prishtina është 380-400 autobusë.

Ndonëse Durmishi nuk ka treguar se numrin e përgjithshëm të autobusë që janë nisur në dyjavëshin e parë të janarit 2024 nga Prishtina, sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për 15 ditë rreth 6000 autobusë me udhëtarë janë nisur vetëm nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Nëse llogaritet se në një autobusë mund të transportohen 50 udhëtarë, del që vetëm për dy javë hiç më pak se 300,000 veta kanë shkuar me autobusë nga Prishtina për në qytete të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Sipas Durmishit nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë për shkak të kthimit të mërgimtarëve dhe shtimit të numrit të vizitave turistike nga kosovarët për në BE ka ndikuar që të rritet kërkesa për shtimin e linjave të autobusëve nga transportuesit.