Janë tre drejtor në SH.A. M-NAV Shkup, Fahrudin Hamidi Kryetar i Këshillit Drejtues dhe Drejtor Ekzekutiv i Sektorit të Navigacionit Ajror, Hasim Deari anëtar i Këshillit Drejtues dhe Drejtor Ekzekutiv për çështje Financiare, Ligjore, Zhvillim dhe Investime, si dhe Ljube Stamenkovski anëtar i Këshillit Drejtues dhe Drejtor Ekzekutiv Teknik.

Në zhvillimet e fundit në këtë kompani, në shënjestër u vunë Hamidi e Deari ndërsa emri i Stamenkovskit as që u pëmend diku. Këtë e vërejti edhe Hamidi i cili në konferencën për media potencoi që në këtë kompani ka tre drejtorë, por vetëm dy nga ata po akuzohen.

Për fat të keq, edhe partitë opozitare por edhe disa nga mediat nacionale në gjuhën shqipe, nuk përfillën këtë fakt, duke u vënë me apo pa vetëdije në shërbim të kreut të Sindikatës së Kontrollit të Fluturimeve, Aleksandar Tasevski i cili rezulton që brengë kryesore ka kundërshtimin e punësimive të kuadrit shqiptar dhe inistimin për të punësuar fëmijët e tij.

Ishte reagimi i Lëvizjes Besa që nxorri në sipërfaqe këtë tendencë të rrezikshme. Duke u shërbyer me informacione të pakonfirmuara, doli dhe akuzoi drejtuesit e institucionit, Hamidin dhe Dearin që marrin nga 3 – 4 mijë euro rroga, por nuk përmendi edhe Stamenkovskin i cili merr rrogë më të lartë se Deari.

Që ironia të jetë e skajshme, Lëvizja Besa u gjend përpara aktit të kryer si subjekt që bëri shpifje.

Ishte drejtori ekzekutiv financiar në M-NAV, Hasim Deari që paralajmëroi padi për shpifje ndaj Lëvizjes Besa, pasi kjo e fundit përmes zëdhënëses, Lulzime Ameti përmendi emrin e tij si rrogëtar me 3 mijë euro.

“Sulmet dhe shpifjet e vazhdueshme kundër meje në kohët e fundit nuk kanë të ndalur. Në mënyrë kategorike dhe në asnjë moment, rroga ime si drejtor ekzekutiv financiar nga 13.03.2023 deri më sot, nuk është e vërtetë se është mbi 3000 euro ose mbi 180.000 denarë, as ka qenë dhe as do të jetë, dhe kjo do të vërtetohet në gjykatë. Rroga ima, është rroga më e vogël në nivel të menxhmentit ekzekutiv”, shprehet Deari.

Sipas tij, rrogat në këtë institucion krijohen drejtpërdrejtë prej buxhetit të Eurocontroll-it, si kundëvlerë të cilën kjo kompani u jep shërbime kompanive ajrore, dhe jo nga buxheti i shtetit tonë.

Nuk është hera e parë që subjektet politike bëjnë gafe të tilla duke paraqitur informacione të pakonfirmuara dhe me burime anonime apo të rrejshme.