Kryesimi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – organizata më e madhe rajonale e sigurisë -ishte ngjarja që e shënoi politikën e jashtme të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023.

Kurora e suksesit ishte organizimi i Këshillit Ministror të OSBE-së më 30 nëntor dhe 1 dhjetor dhe si dhe tejkalimi i krizës- vendimtare për mbijetesën e organizatës- e vendosi Shkupin në hartën e diplomacisë botërore, shkruan racin.mk.

“I dëshmuam gjithë botës se posedojmë kapacitet politik dhe praktik, profesionalizëm dhe përkushtim, që kulmoi me organizimin e Këshillit Ministror. Me vendimet që morëm, e realizuam planin që e skicuam në fillim të Kryesimit- dhamë një kontribut të madh në sigurimin e funksionalitetit të OSBE-së. Kryesimi ynë ishte i përqendruar te njerëzit dhe punuam me përkushtim në idenë se OSBE-ja mund të avancojë dhe të ruajë gjithçka që njerëzit vlerësojnë më së shumti – të drejtat e tyre, lirinë dhe dinjitetin e tyre” tha ish kryesuesi i OSBE-së për vitin 2023, dhe kryediplomati Bujar Osmani.

Ministri Osmani në cilësinë e kryesuesit ka realizuar 12 vizita në operacionet në terren të OSBE-së, në Ukrainë, në Misionin e OSBE-së në Shkup, Moldavi, Gjeorgji, Azerbajxhan, Armeni, Serbi, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kazakistan, Uzbekistan dhe Turkmenistan.