Zakonisht periudha kur më shumë qytetarët marrin antibiotik kokë më vete është gjatë gripit sezonal. Ata, nuk drejtohen tek mjekët për të marrë barna por direkt nëpër barnatore. Prandaj edhe shpesh herë ndodhin komplikime të ndryshme shëndetësore tek pacientët
Vazhdon keqpërdorimi i barnave antibiotik nga ana e qytetarëve. Sipas mjekëve, kjo dukuri më shumë ka filluar të përhapet gjatë periudhës së korona virusit dhe vazhdon edhe më tej. Zakonisht periudha kur më shumë qytetarët marrin antibiotik kokë më vete është gjatë gripit sezonal. Ata, nuk drejtohen tek mjekët për të marrë barna por direkt nëpër barnatore. Prandaj edhe shpesh herë ndodhin komplikime të ndryshme shëndetësore tek pacientët.
Mjekët, thonë se situata më shumë rëndohet kur pacientët fillojnë ta trajtojnë sëmundjen me një lloj antibiotiku, pastaj e ndërprejnë dhe më pas fillojnë me terapi tjetër. Krahas kësaj, ndodh që edhe mjekët të shkruajnë antibiotik nën presionin e pacientit.
“Unë e kam thënë edhe më herët se nëse një antibiotik është bërë rezistent ndaj virusit, do të duhet të kalojnë 50 vite që kjo rezistencë të kalohet. Nga ana tjetër edhe kompanitë farmaceutike nuk janë në gjendje që të prodhojnë shumë shpesh antibiotik që do të jetë rezistent prandaj do të duhet që të jemi shumë të kujdesshëm në përdorimin e antibiotikëve kur ndonjë sëmundje ndodh tek pacientët”, tha Bekim Ismaili, mjek.
Sipas tij, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se antibiotikët janë barna që shpëtojnë jetë prandaj kujdesi duhet të jetë më i madh. “Prandaj u bëjmë apel edhe pacientëve por edhe qytetarëve, të jenë të kujdesshëm me antibiotikët, me llojet e tyre, sepse ka një rregull një mjekësi e cila I veçon se cili është antibiotiki i linjës së parë, linjës së dytë, e kështu me radhë, cilët antibiotikë përdoren në kushte spitalore e cilat antibiotikë përdoren në kushte shtëpiake ku për fat të keq kemi shumë ngatërresa, neglizhencë nga ana e qytetarëve, sepse kemi raste kur gjendja është alarmante, ndërsa kur pacienti vjen tek ne, ne i shkruajmë barna dhe nuk ka asnjë reagim”, u shpreh Bekim Ismaili.
Ndërkohë, është karakteristike se në vendet e Ballkanit, pacientët janë më këmbëngulës që të marrin barna, që nuk është praktikë tek vendet e zhvilluara. “Si mundet që një shtet sikurse Gjermania, me 80 milion apo 100 milion banorë të shërohen në mënyrë simptomatike kur janë virozat sezonale kurse populli jonë kërkon menjëherë ditën e parë kur kanë ndonjë problem të kërkojnë edhe terapi ampulare. Pse në Gjermani nuk marrin ampula, edhe ata shërohen edhe ata jetojnë. Tek ne menjëherë kërkojnë terapi ampulare duke mos llogaritur se ajo e rrëzon imunitetin dhe kur situata përkeqësohet ne e kemi vështirë që t`I trajtojmë pacientët”, theksoi mjeku Ismaili.
Ekspertët paralajmërojnë se është koha e fundit që të fillojmë të sillemi me përgjegjësi ndaj antibiotikëve për të reduktuar konsumin e tyre.