Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Milan Mihajloviq, avokati Miodrag Brkljaq nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës, ka dështuar të nis të enjten gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Mihajloviq akuzohet për përfshirje në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Avokati Brkljaq ka deklaruar se nuk është pajisur me shkresa të lëndës, përkatësisht provat me të cilat i mbrojturi i tij ngarkohet se ka kryer veprat penale.

Andaj, gjykatësi Lutfi Shala e obligoi prokurorin Burim Çerkini që ta pajisë të njëjtin me shkresa të lëndës.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 27 dhjetor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, të cilin e ngarkon me katër vepra penale.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Mihajloviq akuzohet për pjesëmarrje në grupin kriminal të organizuar, pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare, kanosje dhe për falsifikim të dokumenteve.

Akuza thotë se i njëjti, nga viti 2014 e tutje, si anëtar i grupit të organizuar dhe i strukturuar kriminal së bashku me Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, duke vepruar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, me role të caktuara dhe në bashkëpunim ndërmjet vete kanë vepruar për një periudhë të gjatë kohore, ku secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllime të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi ka ardhur deri tek vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.