Karta Evropiane e Rinisë, një projekt i dështuar në Maqedoninë e Veriut

Në vendin tonë, Karta Evropiane e Rinisë, e cila duhet të ofrojë zbritje dhe përfitime për të rinjtë në shumë fusha të jetës, nuk ka arritur të bëjë ndonjë ndryshim të madh. Shumë të rinj ende presin të marrin kartën e tyre edhe pas disa muajsh të aplikimit, ndërsa shumë të tjerë as që e njohin ekzistencën e saj. Edhe ata që e kanë marrë kartën, ankohen se nuk mund ta përdorin në shumë vende në Maqedoninë e Veriut, pasi bizneset nuk e pranojnë atë. Kjo tregon se projekti “Karta Evropiane e Rinisë”, i cili është një iniciativë evropiane për të nxitur lëvizshmërinë, arsimimin, kulturën dhe punësimin e të rinjve, ka dështuar në vendin tonë.

Karta Evropiane e Rinisë është një kartë që mund ta marrin të gjithë personat në moshë nga 15 deri në 29 vjet, pa pasur nevojë të plotësojnë asnjë kusht shtesë. Karta lëshohet dhe menaxhohet nga Agjencia për Rini dhe Sport (ARS), në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Programeve Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërisë. Karta u mundëson të rinjve të shfrytëzojnë dhjetëra mijëra zbritje për shërbime, produkte, udhëtime, kulturë, akomodim dhe arsimim në 36 vende evropiane. Karta vlen 2 vjet, me mundësi rinovimi për aq kohë sa përdoruesi i saj është brenda kufirit të lejuar të moshës.

Sipas ARS-së, qëllimi i kartës është t’u japë mundësi të rinjve të udhëtojnë, të njohin njerëz të rinj dhe të bëjnë miq të rinj në të gjithë Evropën. Gjithashtu, nëpërmjet kartës të rinjtë mund të edukohen, të mësojnë gjëra të reja dhe ta fillojnë karrierën e tyre, të bëjnë një ndryshim real në komunitet, të jenë qytetarë të mirëinformuar dhe aktivë që e formësojnë shoqërinë.