Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme të 86-të, unanimisht i miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Regjistrit të radiodifuzuesve, mediave të shkruara dhe mediave elektronike dhe internet portaleve, për zgjedhjen e presidentit të republikës, si dhe për zgjedhjen e deputetëve në Parlament.

“KSHZ-ja, në pajtim me nenin 76gj, në afatin e paraparë ka parashtruar kërkesë tek mediat e shkruara, radio dhe internet portalet për dorëzimin e listave të korrigjuara të çmimeve dhe ato kanë dorëzuar çmimore të korrigjuara brenda 72 orëve nga marrja e njoftimit dhe unë propozoj që regjistri të ndërrohet me këto televizione – Kanali televiziv Vis dhe Televizioni 3 Shkup. Po ashtu radiostacionet që kanë ndryshuar çmimoret në përputhje me Kodin zgjedhor – Radio 99 Shkup, Radio Zona M1, Radio Kavadar, si dhe internet portalet Tajmbalkan.com, infozona.mk dhe skopjeinfo.mk. Duhet të modifikojmë dy regjistrat me këta shpërndarës”, tha nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, pas së cilës ata u miratuan nga anëtarët e Komisionit.

Anëtari i KSHZ-së Boris Kondarko raportoi se KSHZ-ja do të zbatojë dispozitat e fundit të ndryshimeve në Kodin zgjedhor, konkretisht për të drejtën e votës të personave që mbushin 18 vjeç, përkatësisht për rëndësinë e dokumenteve të identifikimit gjatë votimit.

Ai informoi se KSHZ-ja sot në ueb faqen e tyre do të publikojë një njoftim lidhur me këto ndryshime dhe se, siç tha ai, do të jetë pjesë e udhëzimeve të tyre për përcaktimin e identitetit të votuesve, sipas të cilit KSHZ-ja do të zhvillojë trajnim të detyrueshëm për të gjithë anëtarët e këshillave zgjedhore që do të zhvillojnë votimin, pra që do të kryejnë identifikimin e qytetarëve.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, në fund të seancës përkujtoi se ende është duke u zhvilluar kontrolli publik i listës zgjedhore dhe u bëri thirrje qytetarëve që ta kontrollojnë listën zgjedhore.

Inspektimi i listës zgjedhore përfundon më 18 mars dhe deri më tani kanë kryer kontrollë rreth 4000 qytetarë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume