“Partitë politike nuk janë dyqane, por organizime shoqërore për të arritur një qëllim që lidhet me interesin e përgjithshëm. Andaj s’duhet të shohin njëri-tjetrën si konkurrencë, aq më tepër ata që kanë vizion të njejtë apo të ngjashëm. Çdo koalicion i ngritur mbi ide politike dhe ideal është i nevojshëm. Koalicioni ende nuk ka shpalosur ofertën konkrete me të cilën do të garojë. Nga ajo që deri tash është publikuar, ky koalicion ka për qëllim të mbajë vendin në binarët euroatlantik në një kohë kur gjithnjë e më shumë flitet për alternativa të BE-së. Kjo nuk nënkupton se të gjithë oponentët e këtij koalicioni janë anti-evropianë”, thotë analisti politik Xhelal Neziri për PRESSonline.al, duke folur mbi koalicionin e madh politik “Fronti Europian” që drejtohet nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.

Sipas ti, partitë shqiptare janë treguar egocentriste në të kaluarën pasi nuk kanë bërë koalicione me etnitë tjera më të vogla.

“Tash kemi një përmirësim të këtij defekti sepse, në fund të fundit, në demokraci janë etnitë shumicë që duhet të ruajnë të drejtat dhe dinjitetin e etnive më të vogla, e jo siç ka qenë deri tani – etnitë joshumicë të diskriminohen dhe të detyrohen të radikalizohen për të mbrojtur apo arritur të drejtat më bazike”, deklaroi Neziri për PRESSonline.al

Neziri theksoi se është e nevojshme, që ky front proevropian të ketë të përpiluar një program cilësor dhe zhvillimor ku do t’u shpjegohet qytetarëve në mënyrë të hollësishme se ky program është i zbatueshëm dhe i vetmi i cili premton të ardhmen e sigurt evropiane të qytetarëve.