Sot bëhen 12 vjet nga vrasja e katër të rinjve dhe një peshkatari në Liqenin e Smillkovës, e cila është një prej ngjarjeve më të tmerrshme që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Për shkak dyshimeve dhe akuzave për montim, lënda u rikthye në gjykim, por pas përfundimit të gjykimit të dytë dhe ankesës së mbrojtjes, Gjykata Supreme i hodhi poshtë ankesat e të dënuarve në rastin “Monstra” dhe la në fuqi aktvendimin e Apelit, njofton Portalb.mk.
Ekipi i avokatëve të të dënuarve në rastin “Monstra”, është duke i përgatitur ankesat për në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Ankesa pasoi pas vendimit të Gjykatës Supreme në shtator të vitit 2023 sipas të cilit u konfirmuan dënimet e shkallës së parë dhe të dytë për pesë të akuzuar. Sipas vendimit tre persona u dënuan me burgim të përjetshëm, një me 15 vjet burg dhe një me 9 vjet burg.

Advertisement

Avokatët e të dënuarve në rastin “Monstra”, janë në procedurë të përgatitjes së ankesave në Gjykatën e Strasburgut pas shpalljes së aktgjykimit në shtator të vitit të kaluar.

“Ende nuk janë gati, janë duke i përgatitur avokatët”, tha për Portalb.mk shkurt familjari tashmë i ndjerë i të dënuarve në rastin “Monstra”, Bedri Ajdari, i cili nuk e arriti përvjetorin e kësaj ngjarjeje dhe as se çfarë do të pasojë në Gjykatën e Strasburgut, rast për të cilin ai luftoi për 12 vjet me radhë, me qëllim që drejtësia të vendoset në vendin e duhur.