Shkup, 5 mars – Fushata për zgjedhjet presidenciale ka filluar zyrtarisht, ndërsa ajo për zgjedhjet parlamentare fillon me 18 prill. Analistët politik presin që fushata të fokusohet në dy elemente kryesore: garanci dhe stabilitet për të ardhmen europiane dhe kuazi patriotizmit për mbrojtje të kauzës maqedonase, shkruan PRESSonline.al

“Duket që fushata zgjedhore do të fokusohet në dy elemente kryesore tek blloku maqedonas se kush garanton të ardhmen evropiane të cilën po orvatet ta monopolizojë LSDM-ja, ndërkaq nga ana tjetër VMRO-DPMNE do të premtojë që do të jetë në mbrojtje të kauzës maqedonase. Tek shqiptarët blloqet do të ndahen në dy segmente të veçanta, ashtu siç dihet BDI do të premtojë stabilitet në procesin e integrimeve europiane, ndërkaq opozita do ti bie daulleve të ndryshimet duke premtuar se do të luftojë krimin dhe korrupsionin”, deklaroi për PRESSonline.al, Sefer Selimi.

Analisti politik Petar Arsovski vlerëson se Maqedonia po hyn në një cikël të ri të etnocentrizmit dhe nacionalizmit të fshehur.

“Maqedonia po hyn në një cikël të ri të etnocentrizmit dhe nacionalizmit të fshehur, prej nga rrjedh edhe narrativi se shumë u është dhënë partive shqiptare nga ‘torta ekzekutivit’. Mirëpo nuk duhet harruar se në fakt LSDM –ja nuk do të ishte në pushtet, po të mos ishin partitë shqiptare, të cilat në disa raste shpëtuan shumicën në pushtet”, tha Arsovski për PRESSonline.al

Sipas analistit Xhelal Nezirit, partitë politike nuk janë dyqane, por organizime shoqërore për të arritur një qëllim që lidhet me interesin e përgjithshëm.

“Nuk duhet të shohin njëri-tjetrën si konkurrencë, aq më tepër ata që kanë vizion të njëjtë apo të ngjashëm. Çdo koalicion i ngritur mbi ide politike dhe ideal është i nevojshëm. Koalicioni ende nuk ka shpalosur ofertën konkrete me të cilën do të garojë. Nga ajo që deri tash është publikuar, ky koalicion ka për qëllim të mbajë vendin në binarët euroatlantik në një kohë kur gjithnjë e më shumë flitet për alternativa të BE-së. Kjo nuk nënkupton se të gjithë oponentët e këtij koalicioni janë anti-evropianë”, theksoi Neziri për PRESSonline.al

Ismet Ramadani nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë së Veriut vlerëson se Maqedonia e Veriut në asnjë mënyrë nuk duhet të devijojë nga rruga e integrimit, respektivisht nga anëtarësimi në BE.

“Çdo alternativë tjetër atë e vendos në fushën e ndikimit të Rusisë me çka perspektiva e saj do të jetë shumë e errët e paparashikueshme, e rrezikshme dhe me konflikte”, deklaroi Ramadani për PRESSonline.al.

Ish-deputeti dhe ish-kandidati për president Imer Selmani konsideron se devijimi i Maqedonisë së Veriut nga kursi euroatlantik është i mundshëm edhe njëkohësisht është edhe rrezik shumë i lartë për neve si qytetarë dhe për vendin.

“Nëse qytetarët votojnë politikanë dhe parti politike në këto zgjedhje të cilat janë të deklaruar si anti-perëndimor ose dyshojnë haptazi në ardhmërinë e vendit tonë në NATO dhe në BE në mënyrë suptile preferojnë aleanca me Rusinë. Këtu para së gjithash kanë ndërmend parti dhe individë të bashkësisë etnike kryesisht maqedonase por në këto gracka nuk duhet të bien edhe politikanë shqiptarë dhe partitë shqiptare”, analizoi Selmani për PRESSonline.al

Që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë, në vend janë mbajtur dhjetë cikle zgjedhore parlamentare, ndërsa qytetarët do të dalin të votojnë për të shtatën herë për presidentin e shtetit në zgjedhjet e 24 prillit.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale filloi më 4 prill dhe do të zgjasë deri më 22 prill, kur fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të filloi më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.