Medai Shaholli
Në një prononcim për opinion lidhur me dallimin mes komitëve të Mickos dhe Grujos, Evgjiti i Çairit Mexhiti tha: “E vlerësoj Mickoskin për ardhjen në selinë e VLEN-it, përkundër faktit se fitoi 58 deputetë dhe e konsideron fillim të mbarë dhe si shenjë e mirë se nuk e ka arrogancën e VMRO-së së vjetër të Gruevskit.
Sipas Mexhitit, ky gjest tregon respektin e Mickoskit ndaj VLEN-it”.

Sipas evgjitit të Çairit ky është dallimi mes komitëve të djeshëm dhe të sotëm që ndryshuakan nga shovinistët e Grujos, ku komitët e Mickos i paraqet të moderuar pasi paskëshin ardhur në konakun e VLEN-it dhe jo ata në konakun e komitëve.

Lëvizjet e komitëve të Mickos janë vetëm taktike dhe jo reflektim për qëndrimet e tyre shovene në të kaluarën ndaj shqiptarëve.
Qëndrimi i fundit i mandatarit Micko lidhur me qëndrimin e pandryshuar për ndryshimet kushtetuese, tregon qartë për kursin politik nacionalist të së djathtës agresive që ata paraqesin në marrëdhëniet me BE-në.

Rrëfenjat me plot entuziazëm foshnjarak të Izet evgjitit se kjo VMRO nuk është si ajo e Grujos, janë dëngla pa vlerë dhe “kodra pas bregut” për opinionin shqiptar se me komitët e Mickos në qeverinë e re jemi në rrugë të mbarë për “ndryshim”!

Kjo VMRO nuk dallon nga ajo e Grujos përderisa nuk deklarohet se do ta shlyejnë nga kushtetuta nofkën e turpit ndaj shqiptarëve, 20% si mballosje dhe përdhosje e identitetit tonë gjuhësor.
Për këtë temë që prek identitetin shqiptar komitët e Mickos nuk duan të dëgjojnë e lëre më të diskutojnë!

Nga ana tjetër kemi kaqolët e VLEN-it që mësa duket nuk e kanë pjesë të programit të tyre heqjen 20% e turpit nga kushtetuta, si kusht i pjesëmarrjes së tyre në qeverinë e re, por kanë një tjetër pikësynim i cili është ndarja e posteve ministrore dhe kapja e nivelit të dytë, ku bëjnë pjesë drejtoritë e drejtorive, si pjesë e ndarjes së kulaçit mes partnerëve të koalicionit.

Ndaj, që ta keni të qartë ju zullapët e VLEN-it dhe jo vetëm, se komitët e VMRO-së nuk kanë ndryshuar, ata janë po ata që ishin dje me qëndrime dhe veprime antishqiptare, që duan të ruajnë ato pozita despotike ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve me mbajtjen e supremacisë dhe rolin udhëheqës të shtetit dhe të pushtetit të rezervuar vetëm për sllavo-maqedonët.

Këta janë komitët sot, të cilët mendojnë dhe veprojnë si dje, duke luajtur rolin e despotit me vasalët ndaj shqiptarëve edhe në qeverinë e re të koalicionit.