João Félix pritet të luajë ndeshjen e tij të fundit për Barcelonën në Sevilje, këtë të diel, për raundin e fundit të La Liga 2023/24.

Sipas “Sport”, vazhdimësia e portugezit nuk është mes prioriteteve të katalanasve për këtë merkato verore dhe një huazim i ri nga Atletico e Madridit, që ka në pronësi kartonin e portugezit, nuk është një opsion.

Edhe pse ai ishte shpesh titullar në gjysmën e parë të sezonit, në pjesën e dytë nuk ndodhi kështe, pasi Xavi zgjodhi ta aktivizonte përgjithësisht në pjesën e dytë të ndeshjes.

Trajneri spanjoll po largohet nga stoli i Barçës, por as mbërritja e trajnerit të ri, që sipas shtypit spanjoll është Hansi Flick, nuk do të ndryshojë të ardhmen e anësorit.

Një rikthim tek Atlético e Madridit është përjashtuar prej kohësh, pas polemikave mes lojtarit 24-vjeçar dhe Diego Simeone, ish-trajner i tij, dhe për këtë arsye menaxheri i lojtarit, Jorge Mendes, është në kërkim të një klubi të ri.

Gjatë një sezoni me fanellën e Barçës ish-lojtari i Benficas shënoi dhjetë gola dhe dha gjashtë asistime në 43 ndeshje (në pak më shumë se gjysma si titullar) në të gjitha garat.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume