Sallat e operacioneve kirurgjike në spitalin shtetëror kanë mbi 10 ditë që po punojnë vetëm për raste urgjente, si pasojë e problemit të stacionit të shtypjes së komprimuar. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri në intervistë për TV21 thotë se ky sistem është vjetruar dhe duhet në ndërrohet, por ai i ka duart e lidhura për shkak se kjo qeveri është teknike dhe nuk mund të shpallen tenderë.

“Problemi substancial do të zgjidhet dhe shpresoj se shumë shpejtë do të hapet procedura e tenderimit edhe pse jemi në fazë të zgjedhjeve por kur punohet për jetë të njerëzve dhe për interes shtetëror, pra kjo është interes shtetëror funksionimi i sallave kirurgjikale në qendrën universitare “Nënë Tereza”, duhet të ndërrohet gjithë stacioni që krijon shtypjen e komprimuar, duhet të ndërrohet instalimi, i cili është mbi 30 vite bashkë me shtypjen e komprimuar, dhe duhet të ndërrohen të gjitha prizat ku vendosen aparatura për të marrë oksigjen ose për të marrë shtypje të komprimuar”, tha Ilir Demiri – ministër i Shëndetësisë.