Qeveria e ardhshme që do të formohet mes tjerave do të ballafaqohet edhe me vazhdimin e procesit euro-integrues, rrugëtim i cili ka ngecur në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, thotë profesori universitar, Bashkim Selmani.
Duke i ditur rrethanat politike, njohësi i çështjeve druan se politika që ngadhnjeu në taborin maqedonas në zgjedhjet e fundit, ka më pak vullnet për ta çuar procesin eurointegrues përpara, bazuar gjithnjë në retorikat e fjalorin që ka përdorur partia në fjalë. Sipas tij, viktima më e madhe janë qytetarët, e sidomos komuniteti shqiptar, po që se nuk i vazhdojmë aspiratat për t’iu bashkangjitur famljes evropiane.
“Nëse merren për baza analizat dhe retorikat e presidentit dhe kryeministrit, do të shohim se gjithë ai investim aktual që është bë për vlerat dhe në emër të Bashkimit Evropian për të aderuar Maqedonia e Veriut, e gjithë kjo aktualisht gjendet në pikëpyetje, se si do të marrë kahje dhe si do të jenë udhëzimet e mëtutjeshme. Prandaj urojmë që i gjithë ky proces të merr një epilog pozitiv, të bëhen ndryshimet kushtetuese, dhe, Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e civilizimeve, tolerancës dhe bashkëpunimit, sepse bashkëpunimi dhe toleranca e kanë shpëtuar njerëzimin.Nëse Maqedonia e Veriut nuk i përmbahet kësaj parrulle, atëherë mund të përmbyset gjithçka e interesit të Bashkimit Evropian.” – tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
Vendi ynë në udhëkryq në momentin kur në seancën parlamentare nuk u gjet vullnet politik për t’i votuar ndryshimet kushtetuese që kërkojnë votën e 80 deputetëve. Deri në implementimin e kushteve që dolën nga propozimi francez, Maqedonia e Veriut nuk do të mundet të ec përpara, rrjedhimisht, nuk do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare e cila mundëson hapjen e kapitujve me Bashkimin Evropian.