Avionët dhe artileria izraelite goditën të premten objektivat në pjesën jugore të Libanit, pasi dhjetëra raketa u lëshuan drejt veriut të Izraelit, njoftoi ushtria.

Përshkallëzimi i sulmeve ndërkufitare vazhdoi për të tretën ditë.

Sirenat paralajmëruese u dëgjuan në zonat kufitare në veri të Izraelit në orët e vona të mëngjesit, pasi rreth 35 raketa u hodhën nga pjesa jugore e Libanit në zonën përreth qytetit kufitar Kirjat Shmona.

Pamjet televizive treguan ndërtesa dhe makina të dëmtuara, si dhe zjarre në disa lokacione të shkaktuara nga goditjet.

Shërbimet e urgjencës thanë se ekipet ishin aktive në disa zona por nuk kishte raportime për viktima.

Në përgjigje, ushtria izraelite tha se artileria e saj sulmoi vendet e lëshimit të operuara nga milicia e Hezbollahut – të mbështetur nga Irani, në pjesën jugore të Libanit dhe avionët izraelitë goditën gjithashtu infrastrukturën e Hezbollahut në zonat e Odaisseh dhe Kfarkela.

Ushtria izraelite ka shkëmbyer zjarr me forcat e Hezbollahut përtej kufirit në jug të Libanit që nga tetori kur filloi lufta në Gazë./REL/