Në nderim të martires së luftës së vitit 2001, Valbona Zymberi, me propozim të Kryetarit të Komunës Erkan Arifi, kurse me vendim të Këshillit Komunal, Çerdhja e sapo ndërtuar për fëmijë në fshatin Mateç do të emërohet “VALBONA 2001″.
“Me propozim timin deri te këshilli komunal, si pikë në vete propozova që atë Çerdhe ta emërtojmë me një emër të një fëmiu që ka ndërruar jetë gjatë luftës së vitit 2001, dhe kështu unanimisht të gjithë këshilltarët komunal e përkrahën atë iniciativë dhe Çrdhja në fshatin Mateç do të quhet “VALBONA 2001”, çka simbolizon gjakun, sakrificën, dhe që tregon se një fëmijë, një nxënës e asaj moshe në vend që të shkojë në Çerdhe ajo ka ndrruar jetë gjatë luftimeve me çka ka ndryshuar kushtetutën e RMV në të mirë të popullit shqiptar në nivel të shtetit. Kështuqë ne sollëm vendim në këshillin komunal dhe emërtuam “VALBONA 2012”, besoj se duhet të ruajm historinë tonë që është larë me gjak”, – tha Kryetari i Likovës, Erkan Arifi.
Të përkujtojmë se Valbona Zymberi, ishte rëndë e plagosur në granatimet e parreshtura të 24 majit të vitit 2001, kurse më pas nuk u përballoi plagëve të rënda. Valbona ishte ndër 10 martirët e rënë në njërin nga bodrumet e familjes Zymberi më 24 maj të vitit 2001.