Fishekzjarret e nisura nga një jaht në Greqi shkaktuan një zjarr në pyll në ishullin Hydra, ka njoftuar autoriteti lokal i zjarrfikësve.
Zjarri dogji pyllin e vetëm me pisha në ishullin turistik, i cili shtrihet në jug të Athinës, shkroi autoriteti në Facebook.
Bëhet e ditur se zjarri tashmë është vënë nën kontroll, por me vështirësi.
Duke qenë se nuk ka rrugë për në plazh, zjarrfikësit u detyruan të hynin nga deti, ndërsa helikopterët hodhën ujë nga ajri.
E shkaku i zjarrit ka shkaktuar zemërim në Greqi, e cila tashmë po lufton me disa zjarre dhe është në kontrollin e valës së parë të të nxehtit, shkruan BBC.
“Ne jemi të indinjuar që disa njerëz hedhin fishekzjarre në mënyrë kaq të papërgjegjshme në një pyll me pisha”, tha kryetari i bashkisë së Hydra-s, Giorgos Koukoudakis.
Ai shtoi se qyteti do të presë për të parë rezultatet e një hetimi paraprak dhe më pas do të kërkojë potencialisht veprime ligjore kundër atyre në jaht.
Ndryshe, Greqia ka qenë në gatishmëri të lartë për zjarret që nga e marta dhe autoritetet po përgatiten për një verë të vështirë pasi kushtet e thata, erërat e forta dhe temperaturat e larta do të vazhdojnë.
Së fundmi, një zjarrfikës vullnetar 55-vjeçar vdiq nga plagët që mori duke luftuar një zjarr në rajonin jugor të Ilia në gadishullin e Peloponezit.
Zjarret e verës janë të zakonshme në Greqi dhe shkencëtarët kanë lidhur frekuencën dhe intensitetin në rritje të ngjarjeve ekstreme të motit, duke përfshirë valët e të nxehtit, me ndryshimet klimatike.
Por vendi ka gjithashtu një problem me zjarrvënësit – të paktën 79 persona u arrestuan gushtin e kaluar për zjarret vdekjeprurëse.
Në fillim të këtij viti, shteti grek solli ligje më të ashpra, me autorët e zjarreve që tani përballen me 20 vjet burg dhe gjoba deri në 200 mijë euro