Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se janë duke vazhduar patrullimet në Urën e Ibrit.


Në njoftimin e bërë në Facebook, thuhet se KFOR-i vazhdon të ofron mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

“Njësitë e Specializuara Shumëkombëshe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja kanë prani të vazhdueshme në Urën e Ibrit, dhe kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet lokale”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim theksohet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Ndryshe, pas luftës së viteve 1998/99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.

Ditë më parë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, kishte thënë se shumë shpejt do të hapet ura e Ibrit në Mitrovicë.

Elshani ka thënë se janë duke diskutuar me eprorët se si mund të bëhet hapja e urës.

Për paralajmërimet për hapjen e urës së Ibrit, kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se kjo është një çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe se negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe merret në dialog.

Aktualisht, ura mbetet e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.