Izraeli i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët.
Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të dy shteteve u bë sot më 18 qershor nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel.
Më herët gjatë ditës, Arbel është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem në korrik të vitit 2021, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli.
Izraeli është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës.
Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Shengen, në Evropë.
Ndërkaq më 5 janar u bë e ditur se ata mund ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare./REL