Mickoski lëvdohet se VLEN-i nuk mori shumë! Ibrahimi: Është ruajtur përfaqësimi i shqiptarëve në ekzekutiv

VMRO-DPMNE i ka rikthyer tre të katërtat e funksioneve që LSDM i kishte humbur. Kështu u lëvdua mandatari Hristijan Mickoski në manifestimin kushtuar 34 vjetorit të formimit të partisë, kur foli për Qeverinë e re, koalicionin me VLEN-in dhe akuzat se i janë dhënë shumë poste bllokut shqiptar.
“Për pak ditë Maqedonia do të ketë qeveri të re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Në periudhën e kaluar kur negociohej kjo qeveri, i kam ndjekur me kujdes ato mesazhe nga disa qendra politike nga opozita e re që i është dhënë shumë koalicionit VLEN, që është një trillim famëkeq, imagjinoni ata që u gjunjëzuan në Reçicë për 7 vjet dhe ishin shërbëtorët kryesorë ishin të BDI-së, ndaj neve që i kemi rifituar të paktën tre të katërtat e pozitave që kanë humbur, na thonë se kemi dhënë shumë”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Para se Mickoski ta thoshte këtë, kjo çështje u fol edhe gjatë mëngjesit në emisionin DailyClick të TV21. Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN, i pyetur se a vlerësojnë se blloku shqiptar mori mjaftueshëm ministri, tha se në aspektin e përqindjes shqiptarët në gjithë ekzekutivin përfaqësohen me rreth 27 deri në 30%. Sipas tij, është ruajtur përfaqësimi i shqiptarëve në ekzekutiv dhe se janë në të njëjtat pozicione të cilat i ka pasur edhe qeveria e kaluar LSDM-BDI-ASH. Ibrahimi po ashtu u shpreh se duhet pasur parasysh edhe fakti se VMRO-ja tani arriti vetë ta krijojë shumicën 61 edhe pa shqiptarët.
TV21: Po më lini të kuptoj se jeni të kënaqur si VLEN me këto resorë që do t’i drejtoni?
“Shih, ne do të kishim dashur ta marrim gjithë qeverinë, por në kuptimin e asaj se a janë të përfaqësuar shqiptarët në këtë pushtet ekzekutiv, unë mund të ju siguroj se shqiptarët janë mjaftueshëm mirë të përfaqësuar dhe çdo kund edhe aty ku nuk do ta kemi ministrin, do të kemi në postet e tjera nën ministrin me të cilat do të jemi të përfaqësuar edhe ne si shqiptarë”, tha Zeqirja Ibrahimi nga VLEN.
Koalicioni shqiptar VLEN në Qeverinë e re pritet të marrë postin e zëvendëskryeministrit të parë si dhe 5 ministri. Është paraparë që në shumë prej ministrive ku ministri nuk do të jetë i VLEN-it, zëvendësi ose drejtues të tjerë të jenë shqiptarë. Po ashtu pritet që VLEN të ketë edhe rreth 300 drejtori.