Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James C. O’Brien.


Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien ka mbështetur deklaratën e Shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në lidhje me takimet e djeshme në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

O’Brien ka cituar Borrellin duke thënë se “moszbatimi i marrëveshjeve të kaluara është me të vërtetë një mundësi e humbur për të dyja palët” duke theksuar se palët duhet që të angazhohen për të trajtuar problemet mes tyre në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ndryshe, dje janë mbajtur takimet dypalëshe në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Borrell takoi Kurtin fillimisht pastaj Vuçiqin por nuk pati takim trepalësh.

Pas këtyre takimeve, Borrell ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka shprehur gatishmëri për të mbajtur takim trepalësh në Bruksel.

Sipas tij, Kurti i ka vendosur tri kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e normalizimit.

Teksa e ka cituar Kurtin, Borrelli ka thënë se është kërkuar që marrëveshja bazë të formalizohet me nënshkrim nga shefat përkatës të qeverive, të tërhiqet letra e 13 dhjetorit e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, si dhe të dorëzohet krimineli Milan Radoiçiq dhe grupi i tij paramilitar terrorist te organet gjyqësore të Kosovës.

“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot. Kryeministri Kurti ka dorëzuar tre kushte për angazhimin e tyre të mëtejmë në procesin e normalizimit. Citoj ‘1. Marrëveshja bazike të formalizohet me nënshkrim nga shefat përkatës të qeverive. 2 Tërheqja e letrës së rezervimit të deportuar nga ish-kryeministrja e Serbisë më datë 13 dhjetor. 3. Dorëzimin i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist te organet gjyqësore kosovare’”, ka thënë ai në konferencën për media pas takimeve dypalëshe.

Borrelli tutje ka shtuar se të dyja palët janë përgjegjëse për mospërmbushjen e asaj për çka janë zotuar.

“Asnjë hap nuk është ndërmarrë për themelimin e Asociacionit. Draftstatuti evropian që ofron një mënyrë moderne për tu marrë me këtë çështje. Nuk duhet harruar që procesi i normalizimit përparon shpejt nëse të dy palët dakordohen. Ne dhe SHBA-ja nuk mund ta duam më shumë normalizimin e marrëdhënieve sesa Kosova dhe Serbia. Sot patëm një takim tjetër. Diskutimet ishin siç pritej, të vështira si gjithmonë”, ka thënë ai.

Ai shtoi se para takimit, BE-ja ka prezantuar një propozim të ri për zbatimin për planin që do të udhëzonte planin e implementimit të marrëveshjes, por “kushtëzimi i zbatimit nuk lejonte që diskutimi të fokusohej se si të vazhdohej tutje nga palët, kështu që palët mbeten shumë larg njëra-tjetrës”.