Në Kuvendin e Kosovës u mbajt seanca solemne në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Presidentja, Vjosa Osmani, theksoi se NATO në vitin 1999 dha mbështetjen vendimtare për lirinë e Kosovës, andaj 25 vjet pas çlirimit, vendi synon dhe meriton anëtarësimin e plotë në këtë aleancë ushtarake.

“Në këtë ditë do të kujtojmë rezistencën këmbëngulëse të presidentit Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci. Si dhe aleancat e fuqishme që ai ndërtoi së bashku me shumë e shumë veprimtar të tjerë të cilat i gëzojmë edhe sot. Do të kujtojmë çdo ditë të jetës sonë por edhe brezat që vijnë pas nesh heroizmin e papërsëritshëm të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes Jashari të cilët u shndërruan në gurë themelin e lirisë që e gëzojmë sot. Do të jetojmë përherë me kujtimin e të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbi 13 mijë të vrarë gjatë luftës në mesin e të cilëve 1133 fëmijë të vrarë vetëm në luftën e fundit në Kosovë”, deklaroi Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane me njohje reciproke, pa sulme, agresione dhe diskriminime.

“Duam marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane me njohje reciproke dhe bashkëpunim të shumë anshëm në të gjithë rajonin tonë. Pa sulme dhe agresione, pa diskriminime dhe shfrytëzime. Kosova dhe populli i saj, bashkë me Shqipërinë në vazhdimësi ka shkuar duke forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Turqinë, Francën e Italinë dhe vende të tjera perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO është destinimi ynë ushtarak”, deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Pjesëmarrës në seancën solemne ishin edhe personalitete dhe figura të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se liria duhet mbrojtur.

“ Sot ne përballemi ende me përpjekjet për të penguar shtetin e ri të Kosovës që lufton për të konsoliduar identitetin shtetëror, hapësirën dhe vendin e vet në Evropë. Jemi të vetëdijshëm që kauza e Kosovës nuk ka përfunduar por jemi të palëkundur në vendin tonë se realiteti Republikë e Kosovës, e pavarur dhe sovrane, është e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme”, tha Bajram Begaj, president i Shqipërisë.

Për nder të 25 vjetorit të çlirimit, u bë edhe parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ku u ekspozuan sisteme të ndryshme të armatimit. /