TEKNIKA E PËRROIT TË NDËRGJEGJES NË LETËRSI

 

(anglisht: STREAM CONSCIOUSSNES)

 

        Romani “Uliksi” (Ulysses, 1922) i prozatorit dhe poetit irlandez Xhejmz Xhojs (James Joyce, Dublin, 1882 – Cyrih, 1941) konsiderohet sot si një prej shembujve më të mirë të zbatimit të teknikës së përroit të ndërgjegjes në letërsi.  

            Në teorinë e letërsisë, përroi i ndërgjegjes ose rrjedha e ndërdijes është një teknikë narrative apo mjet që ka të bëjë “me pasqyrimin e një mozaiku asociacionesh të mendimeve, të ndjenjave dhe të përshtypjeve të personazheve në tekstin letrar”. Për këtë teknikë narracioni përdoret edhe termi monologu i brendshëm. Termin e krijoi filozofi dhe psikologu amerikan Uilliam Xhejmz (William James) në veprën e tij “Parime të psikologjisë” (The Principles of Psychology) të botuar në vitin 1890. Në kontekstin letrar, termin e përdori për herë të parë në vitin 1918, shkrimtarja britanike Mej Sinkler (May Sinclair, pseudonim i Mary Amelia St. Clair, 1863-1946) kur i analizonte veprat e prozatores angleze Doroti Riçërdson (Dorothy Richardson, 1873-1957).    

   Përkufizimi – Përroi i ndërgjegjes është teknikë narrative që synon të pasqyrojë ekuivalentin e shkruar të proceseve mendore të personazheve, qoftë nëpërmjet monologut të brendshëm jo aq të lidhur, qoftë lidhur me veprimin e tyre. Stili i të shkruarit me përroin e ndërgjegjes kryesisht konsiderohet formë e veçantë e monologut të brendshëm. Ky stil i të shkruarit karakterizohet nga kërcimet e asociacioneve, nga dekonstruksioni apo nga shkelja e rregullave të sintaksës si dhe nga mungesa e plotë apo e pjesshme e shenjave të pikësimit (interpunksionit).

           Përroi i ndërgjegjes nuk është si monologu i dramës apo solilokvij, ku folësi i drejtohet publikut apo një personi të tretë, që janë karakteristike për poezisë dhe dramën. Te romani i përroit të ndërgjegjes, proceset apo rrjedhat e mendimeve të personazhit paraqiten kryesisht   sikundër zhvillohen vetëm në kokën e tij (apo i drejtohen vetë atij); aty kemi të bëjmë me teknikën e thurjes (të ngatërresës, të ndërlikimit). 

         Termin e krijoi në vitin 1890 filozofi dhe psikologu amerikan Uilliam Xhejmz (William James) në veprën epokale të tij The Principles of Psychology: “Ndërgjegjja (vetëdija) nuk i duket vetes e ndarë në copa…ajo nuk është fare e lidhur; ajo rrjedh. ‘Përroi’ apo ‘rryma’ janë shprehje me të cilat ky proces përshkruhet në mënyrë më të natyrshme. Kur të flasim për këtë në vijim, këtë do ta quajmë rrymë (rrjedhë) të mendimeve, të ndërgjegjes apo jetë subjektive”.       

Shënim: Në këtë roman të nobelistit amerikan Fokner flitet për shkatërrimin e katër fëmijëve të familjes së vjetër Kompson, të përfshirë në historinë e jugut të Amerikës. Njëherazi kemi të bëjmë me një roman inovativ, eksperimental të përroit të ndërgjegjes që mund të qëndrojë pranë “Uliksit” të Xhejmz Xhojsit.            

*   *   *

              Pjesë caktuara të romanit “Këlthitja dhe mllefi” (The Sound and the Fury, 1929) të shkrimtarit amerikan Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962) ilustrojnë mënyra të ndryshme të përdorimit të teknikës së përroit të ndërgjegjes. Bëhet fjalë për një segment në pjesën e dytë (2 qershor 1910) të pasqyruar nga perspektiva e Kentin Kompsonit (Quentin Compson), e që pothuajse tërësisht është shkruar me teknikën e përroit të ndërgjegjes.

            Pjesë nga romani “Këlthitja dhe mllefi”, e shkruar me teknikën e përroit të ndërgjegjes:

Vetëm duke imagjinuar atë korije m’u duk se mund të dëgjoja pëshpëritjen baticën e ulët vlimin e gjakut të nxehtë nën lëkurën e egër të pamaskuar të shikoja nën kapakët e kuq derrat e zgjidhur në çifte që ia mësyjnë detit kurse ai ne patjetër të rimë zgjuar një kohë të caktuar për të parë sesi bëhet e keqja kjo s’është përgjithmonë ndërsa unë për një njeri të guximshëm kjo nuk duhet të zgjasë aq shumë kurse ai a e konsideron këtë si guxim e unë po baba e ti a nuk po e konsideron kurse ai çdo njeri është arbitër i shkathtësive të veta a e konsideron ti të guximshëm apo jo më i rëndësishëm është se vetë akti se cilido akt ndryshe nuk do të mund të mendonte seriozisht kurse unë ti nuk beson se unë mendoj seriozisht kurse ai mendon se ti mendon tepër seriozisht ….

Uilliem Fokner, “Këlthitja dhe mllefi”

 

Monologu i brendshëm 

 

E gjora Kentin (Quentin)

është mbështetur në shuplakat e duarve të shtrënguara rreth gjunjëve

ti këtë kurrë s’e ke bërë apo jo

ç’është ajo që s’e kam bërë     

atë që e kam bërë unë

po po e kam bërë shumë herë me shumë vajza

dhe atëherë kam qarë dhe dora e saj përsëri më preku kurse qaja

i mbështetur në bluzën e saj të lagët dhe atëherë ajo rinte shtrirë

me shpinë dhe shikonte mbi kokën time në qiell e pashë qartë

skajin e bardhë nën brekët e larme të saj e hapa thikën

a të kujtohet ajo ditë kur vdiq gjyshja kur rije në ujë me brekë

po ia mbaja majën e thikës në fyt….

*   *   *

            Ka burime apo studiues të cilët përroin e ndërgjegjes dhe monologun e brendshëm i quajnë sinonime.

Oxford Dictionary of Literary Terms konsideron se këto dy nocione mund të dallohen, si në pikëpamje psikologjike ashtu edhe në pikëpamje letrare. Në kuptimin psikologjik, përroi i ndërgjegjes është subjekt, ndërsa monologu i brendshëm është mënyrë e prezantimit të subjektit. Në aspektin letrar, monologu i brendshëm vërtet gjithmonë i prezanton mendimet e personazhit ‘drejtpërsëdrejti’, pa ndërhyrjen e ndonjë narratori (tregimtari), të njëjtat mendime nuk i kombinon me domosdoshmëri me mbresat (impresionet) dhe me perceptimet as që i shkel me domosdoshmëri rregullat gramatikore apo bazat e logjikës, ndërsa përroi i ndërgjegjes e bën njërën prej tyre madje edhe që të dyja.                          

            Po ashtu edhe Encyclopædia Britannica Online, edhe pse e pranon se këto dy nocione shpeshherë ndërthuren apo gërshetohen, thekson se monologu i brendshëm, ndonëse vërtet mund t’i pasqyrojë të gjitha gjysmë-mendimet, mbresat (impresionet) dhe asociacionet që ekzistojnë në vetëdijen (në ndërgjegjen) e personazhit, ai mund të kufizohet edhe në prezantimin e organizuar të mendimeve racionale të një personazhi.                

           

     Zhvillimi historik i teknikës së përroit të ndërgjegjes

 

      Pionierët e përroit të ndërgjegjes – Edhe pse përdorimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes ndërlidhet kryesisht me romanin modern të gjysmës së parë të qindvjeçarit XX, ekziston një seri e plotë e përdorimit të kësaj teknike edhe në periudha të mëhershme, ndonëse jo në formë të pastër siç paraqitet në periudhën e pjekur.

     Zhvillimi historik i teknikës së përroit të ndërgjegjes mund të vështrohet në tri periudha:      

           

 

1. Përdorimi fillestar i teknikës së përroit të ndërgjegjes

deri në vitin 1922

 

            Ndër shembujt e parë të përdorimit të kësaj teknike përmendet romancieri anglez Lorens Stern (Laurence Stern, 1713-1768). Ka studiuar në Universitetin e Kembrixhit (Cambridge). Është fenomen unik në letërsinë shekullit XVIII. Kemi të bëjmë me romanin psikologjik të tij, kryeveprën “Jeta dhe mendimet e Tristram Shendit, xhentëlmenit” (The Life and Opinions of Tristram Shandy, Gentleman, 1-2, 1759, 3-4, 1760, 5-6, 1761, 7-8, 1765, 9, 1767). Ky roman, i mohuar nga bashkëkohësit, aq sa edhe i vlerësuar lartë, përcaktoi në mënyrë vendimtare zhvillimin e prozës moderne narrative (tregimtare).

        Kritikët kanë sugjeruar se teknikën e përroit të ndërgjegjes e ka paralajmëruar tregimtari dhe poeti amerikan Edgar Alan Po (Edgar Allan Poe, 1809-1849) në tregimin e tij “Tregim i zemrës “ (The Tell-Tale Heart, 1843).         

            Si një prej ndikuesve potencialë të drejtpërdrejta mbi mjeshtrit e teknikës së përroit të ndërgjegjes, Xhejmz Xhojsin dhe Virxhinia Ulfin* (Virginia Woolf) përmendet shkrimtari francez Eduar Dyzharden (Ḗdouard Dujardin, 1861-1949) me romanin e vet “Dafinat janë prerë” (Les lauriers sont coupés, 1887)*. Për ta arritur subjektivizimin e skajshëm të prosedesë dhe të temës, autori e zbaton në mënyrë konsekuente teknikën narrative (tregimtare) të monologut të brendshëm, që është një prej prosedeve moderniste kyçe. Me këtë vepër Dyzhardeni u radhit ndër paraardhësit e ripërkufizimit të zhanrit romanesk, kulmi i të cilit do të arrihet në romanet e romancierit francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922), të prozatorit dhe poetit irlandez Xhejmz Xhojs (James Joyce, 1882-1941) dhe të prozatores dhe eseistes angleze Virxhinia Ulf (Adeline Virginia Woolf, 1882-1941).      

           

Shënim: Në romanin “Dafinat janë prerë” të Dyzhardenit flitet për një ditë të një të riu të dashuruar.         

Shënim: Virxhinia Ulf, ndonëse shumë e arsimuar, ka pasur arsimim joformal, d.m.th. nuk ka ndjekur shkollim të rregullt. Në vitin 1912 u martua me teoricienin politik dhe shkrimtarin britanik Leonard Ulf (Leonar Sidney Woolf, 1880-1969). Eseja e saj “Një dhomë më vete” (A Room of One’s Own, 1929) është vepër themelore e feminizmit. E munduar prej sulmeve të depresionit, bëri vetëvrasje duke u mbytur në lumin Ouse në afërsi të pronës në Rodmell në Sussex.     

*   *   *

            Disa kritikë kanë thënë se fillimet e teknikës së përroit të ndërgjegjes mund të hasen edhe te novelisti dhe dramaturgu rus Anton Pavloviç Çehov (1860-1904), te shkrimtari norvegjez Knut Hamsun* (1859-1952) dhe te romancieri, novelisti dhe kritiku amerikan Henri Xhejmz (Henry James, 1843-1916).

Shënim: Romancieri, novelisti dhe kritiku amerikan Henri Xhejms është vëlla i filozofit dhe psikologut të njohur Uilliam Xhejmz (Wiliam James, 1842-1910).

      Shënim: Shkrimtari Knut Hamsun nuk ka pasur ndonjë arsimim formal të madh, d.m.th. nuk ka ndjekur shkollim të duhur.    

*   *   *

            Ka kritikë që sugjerojnë se teknikën e përroit të ndërgjegjes e ka përdorur për herë të parë në mënyrë të plotë tregimtari dhe dramaturgu austriak, me prejardhje hebraike Artur Shnicler (Arthur Schnitzler, ) në novelën e tij “Togeri Gustl” (Leutnant Gustl, 1900). Shnicleri ishte mjek. Më pas u bë shkrimtar i lirë. Është një prej përfaqësuesve qendrorë të modernes austriake.      

     Zhvillimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes  mbërriti në avangardë. Një prej të parëve që i shfrytëzoi segmentet e tilla është romancieri francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) në ciklin e romaneve me titull të përbashkët “Në kërkim të kohës së humbur” (À la recherche du temps perdu,1913-1927).

     Elemente të tilla, shkrimtarja britanike Mej Sinkler (May Sinclair, pseudonim i Mary Amelia St. Clair, 1863-1946), ka gjetur në veprën e prozatores angleze Doroti Riçërdson (Dorothy Richardson, 1873-1957).

Monologu i brendshëm është i pranishëm edhe në poemën “Kënga e dashurisë e J. Alfred Prufrock” (The Love Song of J. Alfred Prufrock, 1915) të poetit, kritikut dhe dramaturgut anglo-amerikan Tomës Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965).

Shënim: Tomës Stërnz Elliët u shkollua në Harvard, Sorbonë dhe Oksford. Në vitin 1948 mori çmimin “Nobel”.

 

            2. Përdorimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes

prej viti 1922 deri në shekulli XXI

 

    Përdorimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes arriti kulmin në fillim të dhjetëvjeçarit të tretë të shekullit XX. Kjo teknikë letrare filloi të përdoret mirëfilli në vitin 1922 kur u botua romani epokal “Uliksi” (Ulysses) i Xhejmz Xhojsit (James Joyce).

Përdorimi i mëtejmë i kësaj teknike vërehet në romanin “Ndërgjegjja e Zenit” (La coscienza di Zeno, 1923) të prozatorit italian, nga nëna hebre, nga babai gjerman, Italo Svevo (Trieste, 1861 – Motta di Livenza/Treviso, 1928). Romani i sipërthënë është kompleks. Aty relativizohet çështja e shëndetit dhe e sëmundjes dhe polemizohet me metodën psikanalitike të rrëfimit, duke qenë i shtrirë në kanape.

Shënim: Në vitin 1906 filloi miqësia e tij afatgjatë me Xhejmz Xhojsin (James Joyce) i cili një kohë punoi si arsimtar në Trieste.   

        Pasojnë romanet “Zonja Dallovej” (Mrs. Dalloway, 1925) dhe “Te fari” (To the Lighthouse, 1927) të prozatores dhe eseistes angleze Virxhinia Ulfit (Virginia Woolf). Në romanin “Zonja Dallovej” autori flet për jetën e heroinës, të pasqyruar brenda një dite.

            Në vitin 1929 del romani “Këlthitja dhe mllefi” (The Sound and the Fury, 1929) i shkrimtarit amerikan Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962).

      Shënim: Në vitin 1949 Fokneri u vlerësua me çmimin “Nobel”.      

*   *   *

Monologun e brendshëm në trilogjinë apo në romanet e veta “Moloj” (Molloy, 1951), “Malone vdes” (Malone meurt, 1952) dhe “I paemër” (L’Innommable) e përdor edhe romancieri dhe dramaturgu irlandez, kryesisht i shprehjes franceze, miku i Xhojsit, Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989), ndonëse është pikëpyetje nëse në veprat e sipërthëna kemi të bëjmë pastër me përroin e ndërgjegjes.

      Shënim: Në vitin 1969 Semjuel Beketit iu dha çmimi Nobel”.

           

        Kritikët kanë sugjeruar se teknika e përroit të ndërgjegjes shfaqet edhe në ndonjë vepër të prozatorit anglez me prejardhje indiane Selman Rushdi (Salman Rushdie, Bombei, 1947- ).

Shfaqet edhe në romanin “Kambana e qelqtë”  (The Bell Jar, 1963) të poetes amerikane Silvia Pladh (Sylvia Plath, Boston, 1932 – Londër, 1963). Është romani i vetëm i saj.

Përroin e ndërgjegjes e hasim edhe në krijimet e shkrimtarit skocez Irvin Velsh (Irvine Welsh, 1958- ).

 

Shënim: Poetja Silvia Pladh (Sylvia Plath) ka tentuar të bëjë vetëvrasje. Këtë krizë dhe mjekimin afatgjatë në klinikën për sëmundje shpirtërore e ka paraqitur në romanin e njohur autobiografik “Kambana e qelqtë”  (The Bell Jar). Metafora kryesore të vargjeve të saj janë tmerri dhe vdekja. Studioi në Amerikë, më pas në Kembrixh (Cambridge) në Angli. Atje u njoh me poetin anglez Ted Hjuz (Ted Hughes, 1930-1998), me të cilin, në vitin 1956 u martua. Pas kësaj, dy vjet i kaluan në Amerikë duke punuar si arsimtarë. Në vitin 1959 u kthyen në Angli. Martesa së shpejti u rrënua, ndërsa poetja Pladh helmoi veten me gaz, pa i mbushur të tridhjetat. Përmbledhja e saj “Ariel” e botuar në vitin 1966, d.m.th. pas vdekjes, ndikoi që vdekja e saj të shndërrohet në legjendë, që vuajtja e saj të bëhet simbol i dëshpërimit ekzistencial dhe i neurozave të një brezi të tërë, ndërsa poezitë e saj të marrin përmasa mitike. Adhuruesit e Silvia Padh për vdekjen tragjike të saj e konsideronin përgjegjës edhe ish-burrin e saj Ted Hjuz (Ted Hughes). Në vitin 1999 ai botoi librin e kujtimeve për poeten “Letra ditëlindjeje” (The Birthday Letters). Edhe shumë dekada pas vdekjes, nuk u shua interesimi i publikut për poeten tragjike.                                

           

3. Teknika e përroit të ndërgjegjes

në veprat e shekullit XXI

      

            Edhe pse në masë më të vogël, përroi i ndërgjegjes shfaqet edhe në letërsinë bashkëkohore. Shembuj të rëndësishëm janë romani “Vepra zemërthyese e gjeniut mahnitës“ (A Heartbreaking Work of Staggering Genius) i shkrimtarit amerikan Dave Eggers (1970); romani “Amuleto” i shkrimtarit kilian Roberto Bolano (1953-2003) dhe romani “Everything Is Illuminated” i shkrimtarit amerikan Xhonatan Safran Foer (Jonathan Safran Foer, 1977- ).  

 

Xhelal Zejneli