Reshje të mëdha shiu përjetoi mbrëmë Prishtina, shi ky i cili për pak orë arriti t’i mbush me ujë, e t’i bëjë pothuajse të pakalueshme rrugët e asaj që kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama e pati quajtur “Prishtina e Përjetimeve”.
Lidhur me gjendjen për Klankosova.tv, mbrëmë foli drejtori i Emergjencave në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica i cili tha se ajo është e rëndë
“Jemi në Qendrën Operative duke pranuar shumë thirrje të qytetarëve. Gjendja momentale është tejet e rëndë. Aktualisht jemi duke bërë listën e prioriteteve. I kam angazhuar ekipet në terren për të intervenuar”, tha Fushtica.
“Edhe dy ekipe kujdestare të zjarrfikësve janë në punë”, tha ai.
Në ndërkohë lexuesit e Klankosova.tv kanë dërguar edhe pamje të vërshimeve të disa lagjeve dhe zonave të Prishtinës.
Prej lagjeve të cilat ka pasur vërshime dhe janë prekur më së shumti ishin, Rruga C, Kodra e Trimave, Emshir, Kalabria dhe të tjera.
Ishte rrethrrotullimi në Rrugën B, i cili u vështirë i kalueshëm për automjete për shkak të vërshimeve.
Qytetarët i dërguan Klan Kosovës pamje edhe nga ajo pjesë e kryeqytetit.
Në shumë zona të Prishtinës gjendja është paraqitet goxha e rëndë.
Shumë lexues kanë dërguar pamje në redaksinë e Klankosova.tv, ku shihet se edhe sheshet e Prishtinës nuk kanë shpëtuar nga uji.
Për më tepër ato, janë mbushur me ujë, në sasi goxha të mëdha.
Nga këto vërshime në kryeqytet u prekën edhe 15 udhëtarë të një autobusi, të cilët u detyruan të evakuohen, pasi mjeti me të cilin udhëtonin e kishte të pamundur të qarkullonte.
Mjeti transportues, kishte mbetur në nënkalimin tek Stacioni i Autobusëve në Prishtinës.
Ndërkaq, ishte sizmologu Shemsi Mustafa, ai i cili e kritikoi pushtetin lokal në Prishtinë lidhur me mënyrën e menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.
Mustafa tha se “Prishtina ka mungesë totale profesionale të rregullimit të planeve urbanistike sipas kritereve”.
“Në takimet që i mbajmë për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore me vendas dhe ndërkombëtarë, para disa viteve kam ngritur këtë problem për kryeqytetin tonë Prishtinë, që është i vetmi vend në rajon dhe në botë që vershohet pa lumë”, u shpreh ai.
Prishtina e Përjetimeve të Ramës apo e vërshimeve?
Mbrëmja e 23 qershorit nuk ishte e para kur prishtinasit u përballën me vërshime. Para tyre, një muaj më parë, ata përjetuan të njëjtën gjendje.