Medai Shaholli

(Rrëfenja postelektorale)

Pas disa ditësh në pritet formimi i qeverisë së re të koalicionit “drzhavën Severna” mes komitëve të VLEN-it dhe lëvizjes ZNAM, si partnerë të rinj të koalicionit qeverisës për katër vitet e ardhshme si guverna e “Ndryshimit historik”.

Le të shohim cili është ndryshimi që ata pretendojnë se do të ndodh me ta si padronë të rinj të pallatit të bardhë qeveritar në Shkup!
Për partnerët e rinj të koalicionit ndryshim do të thotë zëvendësimi i figurave të vjetra të shahut politik me figura të reja fituese apo jo, ku lufta kundër korrupsionit dhe mirëqënia e qytetarëve sipas tyre do të jenë prioritet i kësaj qeverie.

Nga ana tjetër, vlenistët të cilët janë vërvitur pas pushtetit pretendojnë se ndryshimi vjen me ta së bashku me komitët e Mickos të cilët do ta shpien “drzhavën” më afër Europës, paçka se partneri i tyre nuk ka shumë gatishmëri për t’i përmbushur ato kushtet europiane në lidhje me ndryshimet kushtetuese.

Cili do jetë ndryshimi për vlenistët që akoma nuk e kanë zbërthyer si program të tyre në qeverinë e koalicionit mbetet për t’u parë në muajt që do të vijnë sesi duket ndryshimi me ta?

A do të jetë vallë “Ndryshimi larja e turpit të 20 përqindëshit” dhe fshirja e saj nga kushtetuta apo “do pëlcasë bumi ekonomik” dhe mirëqënia e qytetarëve shqiptarë, ku shqiptarët nuk do të kenë nevojë për t’u emigruar drejt perëndimit?!

Si do ta sjellin vlenistët “Ndryshimin” historik me liderët e saj qylaxhinj pa bagazh kombëtar, që kanë livadhisur herë majtas e herë djathtas si Bili i vockël, që hynte në listën “Mozheme” për të shpëtuar prapanicën e tij dhe dilte nga ajo kur kishte parë se do ia dilte vetëm, apo si Bekim “ohrigjaneci” kollovar në Strugë, që herë paraqitet si i djathtë dhe herë si majtist i VV?

Mos vallë vlenistët duan të na surprizojnë me ndryshimin e nofkës së 20% duke e zëvendësuar atë me 30%, si gjuhë e asaj bashkësie që flet ndryshe nga sllavishtja e Mickos!

Shqiptarët e “Severnës” e kanë ngrënë shpeshherë sapunin për djathë me sloganet e njohura tashmë si “Për një jetë më të mirë për të gjithë”, jetë më e mirë që nuk u erdhi kurrë për shqiptarët me sharlatanin Zajko, që gjithsesi nuk do të vij as me kryekomitin Micko.

Ndaj, ndryshim nuk do të thotë domosdoshmërisht mirëqënie ekonomike dhe kohezion social me qeverinë e re por, si duket thjesht ndryshim i figurave politike nga të rozë në të zeza apo nga blu ne të kuqërremta!