Lideri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se do të pranojë vetëm armëpushim të pjesshëm e jo planin e mbështetur nga presidenti amerikan Joe Biden. Ai theksoi se luftimet kundër Hamasit janë afër përfundimit, por shtoi se lufta në Gaza nuk po merr fund. Netanyahu ka përmendur dërgimin e trupave në kufirin verior për t’u bërë gati për luftë kundër Hezbollahut, i cili ka thënë se nuk do t’i ndalojë sulmet nëse nuk arrihet marrëveshja për Gazën


Advertisement

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se faza e tanishme e luftës kundër Hamasit në Gaza është duke shkuar drejt përfundimit, duke i hapur rrugë Izraelit të çojë më shumë trupa në kufirin e tij verior për t’u përballur me grupin militant libanez Hezbollah.

Perspektiva e luftës në shkallë të plotë midis Izraelit dhe grupit militant Hezbollah të Libanit i frikëson njerëzit në të dy anët e kufirit, por disa e shohin si pasojë të pashmangshme nga lufta e vazhdueshme e Izraelit kundër Hamasit në Gaza, veçanërisht pasi negociatat për armëpushimin kanë dështuar.
Një luftë e tillë mund të jetë lufta më shkatërruese që ka përjetuar secila palë.

Si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu kanë marrë mësim nga lufta e kaluar, e vitit 2006, konflikt njëmujor që ka përfunduar me barazim. Ata gjithashtu kanë pasur nëntë muaj për t’u përgatitur për një luftë tjetër, edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përpjekur ta parandalojnë zgjerimin e konfliktit që do të nxiste përgjigje edhe nga Irani dhe do t’i rrezikonte forcat amerikane në rajon.
Më poshtë është treguar për gatishmërinë e secilës palë, si mund të zhvillohet lufta dhe çfarë po bëhet për ta parandaluar atë.

Çfarë ka ndodhur në vitin 2006?

Lufta e vitit 2006, gjashtë vjet pasi ishin tërhequr forcat izraelite që kishin pushtuar Libanin jugor, ka shpërthyer pasi Hezbollahu kishte kapur dy ushtarë izraelitë dhe kishte vrarë disa të tjerë në një bastisje në kufi.

Izraeli ka nisur ofensivën e shkallës së plotë ajrore dhe tokësore dhe ka vendosur një bllokadë, në përpjekjet për t’i liruar pengjet dhe për t’i shkatërruar mundësitë ushtarake të Hezbollahut – mision që ka dështuar përfundimisht. 

Netanyahu thotë se Izraeli është duke i rralluar operacionet e tij në Gaza. Por ai paralajmëron se lufta me Libanin mund të jetë afër.

Bombardimet izraelite kanë rrafshuar zona të mëdha të Libanit jugor dhe periferisë jugore të Bejrutit. Hezbollahu ka nisur mijëra bomba të pakontrolluara drejt komuniteteve veriore izraelite.
Konflikti ka vrarë rreth 1200 libanezë, shumica civilë dhe 160 izraelitë, shumica ushtarë.

Një rezolutë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për përfundim të luftës ka bërë thirrje për tërheqjen e forcave izraelite nga Libani dhe për një zonë të çmilitarizuar në anën e kufirit të Libanit.
Pavarësisht vendosjes së paqeruajtësve të OKB-së, Hezbollahu vazhdon të operojë në zonën kufitare, ndërsa Libani thotë se Izraeli rregullisht shkel hapësirën e tij ajrore dhe vazhdon të pushtojë pjesë të tokës libaneze.

Sa e mundshme është lufta?

Një luftë mes Izraelit dhe Hezbollahut mund të jetë “katastrofë që i tejkalon kufijtë dhe sinqerisht, edhe ata të imagjinatës”, ka paralajmëruar sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gueterres, javën e kaluar, në mes të rritjes së retorikës dhe frikës së konfliktit.

Hezbollahu i mbështetur nga Irani duket se është kapur papritmas nga sulmi i Hamasit më 7 tetor në Izrael, aleat rajonal, por ka filluar të gjuajë raketa në Izraelin verior ditën tjetër. Që atëherë, Hezbollahu dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme gati ditore në kufi, të cilat po përshkallëzohen gradualisht. Izraeli gjithashtu ka kryer vrasje të shënjestruara të figurave të Hezbollahut dhe Hamasit në Liban.
Më shumë se 450 njerëz, kryesisht luftëtarë të Hezbollahut dhe grupeve aleate, por gjithashtu 80 civilë dhe joluftëtarë, janë vrarë në anën e Libanit dhe 16 ushtarë dhe 11 civilë në anën e Izraelit.
Mijëra njerëz janë zhvendosur nga të dyja anët e kufirit. Nuk ka ndonjë plan të menjëhershëm të kthimit të tyre.

Javën e kaluar, ushtria izraelite ka thënë se ka “miratuar dhe vërtetuar” planet për një ofensivë në Liban, edhe pse vendimi për ta nisur një operacion të tillë duhet të vijë nga udhëheqësit politikë të vendit.

Hezbollahu ka ndarë video nga dronët vëzhgues, ku shihen vende në Izrael me përshkrimin “Kushdo që mendon për luftën kundër nesh, do t’i bie pishman”. Dhe lideri i grupit, Hassan Nasrallah, ka paralajmëruar për një luftë “pa limite” nëse Izraeli e nis atë.

Netanyahu ka thënë se ka shpresuar për një zgjidhje diplomatike, por se është i gatshëm ta zgjidhë problemin “në një mënyrë tjetër” nëse është e nevojshme. 

Sipas Hezbollahut, ata do të vazhdojnë të luftojë kundër Izraelit derisa të arrihet një armëpushim në Gaza. Udhëheqësi i grupit, Hassan Nasrallahu, e ka paralajmëruar Izraelin javën e kaluar kundër nisjes së një lufte, duke thënë se Hezbollahu ka armë të reja dhe aftësi të inteligjencës që mund ta ndihmojnë atë të shënjestrojë pozicione kritike thellë brenda Izraelit.

Hezbollahu tashmë i ka zbuluar armët e reja gjatë luftimeve, duke i përfshirë dronët sulmues, të vështirë për t’iu kundërpërgjigjur dhe që godasin me pak paralajmërim. 

Por Izraeli thotë se edhe ai i ka treguar Hezbollahut vetëm një pjesë të vogël të aftësive të tij dhe se Libani do të shndërrohet në një Gaza të dytë nëse ndodh lufta.

Hezbollahu thotë se nuk do ta pranojë ndonjë armëpushim në kufirin mes Izraelit dhe Libanit, para se të pranohet një i tillë në Gaza, perspektivë kjo që tashmë duket e pamundur.

Zbatimi i një propozimi të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta ndaluar luftën 8-mujore në Gaza, është vënë në dyshim, pasi lideri izraelit ka thënë se do të pranojë vetëm armëpushim të pjesshëm e që nuk do ta ndalonte luftën. Ky koment ka nxitur reagim edhe nga familjet e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. 

Komentet e Netanyahut qëndrojnë në kontrast të thellë me skicat e marrëveshjes, të detajuara në fund të muajit të kaluar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si plan izraelit, e disa në Izrael i referohen si “marrëveshja e Netanyahut”. Vërejtjet e tij mund t’i tendosin më tej lidhjet e Izraelit me aleatin e saj kryesor, që bëri shtytje diplomatike për propozimin e armëpushimit.

Por Netanyahu thotë se Izraeli është i vendosur t’i shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe udhëheqëse të Hamasit. Kjo për t’u siguruar që, në momentin kur forcat izraelite largohen nga territori, grupi të mos jetë më në kontroll të vendit dhe në gjendje për t’u riarmatosur.

Për Hamasin, tërheqja e të gjitha forcave izraelite nga Rripi i Gazës “është domosdoshmëri e pashmangshme për t’i bllokuar përpjekjet e Netanyahut për evazion, mashtrim dhe vazhdimësi të agresionit dhe luftës së shfarosjes kundër popullit tonë”.

Sa të gatshëm janë ata?

Ushtria e Hezbollahut dhe ajo e Izraelit i kanë zgjeruar aftësitë e tyre që nga viti 2006 – edhe pse të dyja vendet janë më të brishta.

Në Liban, kriza katërmujore e ekonomisë i ka dobësuar institucionet publike, duke e përfshirë ushtrinë dhe rrjetin elektrik dhe ia ka dëmtuar sistemin e vet të shëndetësisë. Vendi strehon më shumë se 1 milionë refugjatë sirianë. 

Libani e ka krijuar një plan emergjent në rast lufte në fund të tetorit. Aty është projektuar zhvendosja e detyrueshme e 1 milion libanezëve për 45 ditë.

Tani, më shumë se 95 mijë libanezë janë zhvendosur nga zona kufitare, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit. Qeveria ka thënë se do t’i kompensojë ata që i kanë humbur shtëpitë e tyre, por është e paqartë se prej nga do të vijnë këto para.

Hezbollahu ka dhënë paga modeste për shumë prej të zhvendosurve, por përgjigjja ka rënë kryesisht te komunat, të cilat kanë buxhet të kufizuar.

Organizatat joqeveritare lokale dhe ndërkombëtare dhe bamirësitë fetare kanë ndihmuar në sigurimin e disa resurseve, por edhe këto resurse tashmë janë harxhuar.

Disa kanë mbledhur furnizime të tilla si karburant rezervë dhe pajisje mjekësore në rast të bllokadës dhe mungesave, në rast të fillimit të luftës.

Izraeli është i prekur nga tendosja ekonomike dhe sociale në Gaza, e cila pritet të kushtojë më shumë se 50 miliardë dollarë ose rreth 10 për qind të aktivitetit kombëtar ekonomik deri në fund të vitit 2024, sipas Bankës së Izraelit. Kostot mund të rriten ndjeshëm nëse ndodh lufta me Libanin.

Izraeli ka evakuuar 60 mijë banorë nga qytetet afër kufirit, ku nuk ka kohë paralajmëruese për nisjen e raketave për shkak të aftësive të skuadrave të Hezbollahut.

Në luftë me Hezbollahun, evakuimet shtesë nuk do të kishin kuptim meqë raketat dhe predhat e milicisë mund të arrijnë në të gjithë Izraelin.

Si do të zhvillohej lufta?

Lufta e shkallës së plotë është e mundshme të shpërndahet nëpër fronte të ndryshme, ku përfshirja e mbështetësve iranianë në Siri, Irak dhe Jemen mund ta përshkallëzojë tutje situatën – dhe madje ta tërheqë edhe vetë Iranin në konflikt.

Kjo gjithashtu mund ta tërheqë aleatin më të afërt të Izraelit, SHBA-në, më thellë në konflikt.
Hezbollahu ka 150 deri 200 mijë raketa dhe predha të rrezeve të ndryshme, ka thënë Orna Mizrahi e Institutit izraelit për Studimet e Sigurisë Kombëtare. Ky arsenal është rreth pesë herë më i madh se ai i Hamasit dhe gjithashtu shumë më i saktë, ka thënë ajo.

Raketat e drejtuara të milicisë mund të arrijnë objektet e energjisë dhe të komunikimit dhe gjithashtu edhe zonat e banimit me popullsi të dendur.

Në Liban, sulmet ajrore ka të ngjarë të shkaktojnë kërdi në infrastrukturë dhe potencialisht të vrasin mijëra njerëz. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërcënuar ta “kthejë Bejrutin në Gaza”, ku ofensiva ajrore dhe tokësore ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe ka vrarë më shumë se 37 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Izraeli është shumë më i mbrojtur, me disa sisteme të mbrojtjes ajrore, duke përfshirë “Iron Dome”, e cila rrëzon raketa me gati 90 për qind sukses. Por mund të mbingarkohet nëse lëshohet një breshëri masive raketash.

Rreth 40 për qind e popullsisë së Izraelit jeton në shtëpi me dhoma të sigurta private, të fortifikuara me mbrojtje nga shpërthimet për t’iu bërë ballë sulmeve nga raketat. Izraeli gjithashtu ka një rrjet të strehimoreve kundër bombave, por një raport qeveritar i vitit 2020 thotë se rreth një e treta e izraelitëve nuk kanë qasje të lehtë në to.

Libani nuk ka rrjet të tillë dhe strehimoret mund të jenë të papërdorshme kundër bombave masive “që shpërthejnë bunkerë”, të cilat Izraeli i ka lëshuar në disa pjesë të Gazës. SHBA-ja ka ndaluar dërgimin e disa prej këtyre bombave që nga maji, për shkak të shqetësimeve rreth viktimave civile.
Netanyahu ka ripërsëritur akuzat se aleati kryesor i vendit të tij, SHBA-ja, nuk po i dërgon armë, duke theksuar se ka një “rënie dramatike” të dërgesave. Këto vërejtje drejtuar kabinetit të tij nënvizojnë tensionin e vazhdueshëm gjatë gjithë luftës në Gaza midis Izraelit dhe Washingtonit, veçanërisht mbi sjelljen e ushtrisë izraelite në territorin e rrethuar.

Hezbollahu e ka të limituar mbrojtjen ajrore, ndërsa ajo e ushtrisë libaneze është e vjetër dhe e pamjaftueshme për shkak të mungesës së buxhetit.

Ushtria libaneze ka mbetur mënjanë që nga 7 tetori. Në vitin 2006, ajo ka hyrë në luftime me një kapacitet të kufizuar, por është e paqartë se si do të reagonte në rast të një lufte të re mes Izraelit dhe Hezbollahut.