Një ballkon në një klub nate në qytetin meksikan të San Luis Potosí u shemb nga një lartësi prej gjashtë metrash. Siç raportohet dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur.

“Prania e pakontrolluar e njerëzve në këtë ngjarje ka bërë që një nga kangjellat në katin e tretë të qendrës tregtare Altus të shembet duke shkaktuar këtë tragjedi që u mori jetën dy personave dhe sipas informacioneve që kemi tani janë rreth 15 të lënduar, disa prej tyre seriozisht”, tha sekretari i këshillit të qytetit Jorge Hernandez.

Gjithashtu bëhet me dije se pesë persona janë lënduar rëndë dhe ndodhen në terapi intensive. Ndërsa zyrtarët e qytetit thanë se qendra tregtare ku ndodhet klubi është e mbyllur për vizitorët. Sipas informacioneve paraprake, organizatorët e ngjarjes masive nuk kanë pasur leje për mbajtjen e saj dhe tanimë ka filluar një hetim.