Këshilli i Bankës Popullore në mbledhjen e rregullt e shqyrtoi dhe e miratoi Raportin për rreziqet në sektorin bankar për tremujorin e parë të vitit 2024. Në Raport vlerësohet se sektori bankar e ruajti qëndrueshmërinë dhe sigurinë e tij, me aftësi paguese të përmirësuar, likuiditet të ruajtur dhe cilësi të mirë të  portfolios së kredisë, informojnë nga Kabineti i guvernatorit të Bankës Popullore.


Shkalla e mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në nivelin 18,9%, që është niveli më i lartë i analizuar që nga viti 2006. Përmirësimi i treguesit, thuhet në kumtesë, vjen si rezultat i rritjes së mjeteve vetanake të bankave, kryesisht si pasojë e riinvestimit të fitimeve të vitit të kaluar. Treguesit më të lartë të aftësisë paguese janë nxitur gjithashtu nga kërkesat më të larta rregullatore dhe mbikëqyrëse për kapitalin e bankave, të lidhura kryesisht me rezervat e kapitalit dhe kapitalin shtesë të përcaktuar në bazë të vlerësimit mbikëqyrës.

Likuiditeti i bankave u ruajt në nivelet e zakonshme të kënaqshme. Shkalla e mbulimit me likuiditet të sistemit bankar është 279,1%, që është dukshëm më shumë nga minimumi rregullator (100%) dhe e vërteton vëllimin e kënaqshëm të cilin e disponon sistemi bankar i Maqedonisë së Veriut.

“Në tremujorin e parë të vitit 2024, cilësia e portfolios së kredisë të bankave është ruajtur, pavarësisht se disa nga treguesit e ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë kanë shënuar rritje, e cila vjen si pasojë e ndryshimeve metodologjike që u prezantuan që në fillim të vitit, me aplikimin e Vendimit të ri për metodologjinë e menaxhimit të rrezikut të kredisë. Me Vendimin e ri është bërë harmonizim i plotë me rregulloren e re të BE-së në këtë segment. Norma e kredive jofunksionale në nivel të sistemit bankar u rrit me 0,3 pikë përqindje, që është efekt i qasjes metodologjike të ndryshme në përcaktimin e statusit me probleme të ekspozimit të kredisë dhe jo e ndryshimit të aftësisë kreditore të klientëve, informojnë nga BPRMV.

Në kushte të aftësisë paguese të përmirësuar, bashkë me likuiditet tradicional solid, gjendjet e bankave filluan të rriten në mënyrë solide. Depozitat nga subjektet jofinanciare realizuan rritje vjetore solide prej  9,1%, me zhvendosje të dukshme të favorshme në prirjet e maturimit dhe valutës së depozituesve, ku depozitat afatgjata e përshpejtuan rritjen vjetore në 28,3%, kurse depozitat në denarë rriten dy herë më shpejt se depozitat në valutë. Aktiviteti kreditues i bankave shënoi rritje vjetore prej 6,2%, që ishte i pranishëm te kreditë edhe për amvisëritë edhe për ndërmarrjet.

Në mbledhje, thuhet në kumtesën e BPRMV-së është shqyrtuar edhe Informacioni vjetor për pagesat në vend në vitin 2023 me çka ishte konkluduar se sipas të dhënave të bankave me të cilat disponon Banka Popullore vazhdoi trendi i rritjes vjetore të numrit të transaksioneve të pagesave me para jo të gatshme për 12,4 %, gjatë realizimit të 218 transaksioneve të pagesave. Rritja në masë të konsiderueshme rezulton nga rritja më e fortë e numrit të transaksioneve me kartela pagese me 17,3%, me të cilën pjesëmarrja e tyre në totalin e transaksioneve pa para ka arritur në 65,2%, me rritje në të njëjtën kohë të vlerës në këto transaksione me 16,2 %. Gjatë kësaj, në pikat fizike të shitjes është shënuar rritje e pagesave me kartela (rritje vjetore prej 18,0%), por trendi pozitiv i rritjes së pagesave në tregtinë elektronike vazhdon (rritje vjetore prej 11,3%).